-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Çfarë po ndodh në Kaliningrad?

Kryesoret

Moska gjendet në mesin e një konflikti tjetër në Evropën Lindore, teksa Lituania vendosi të ndalojë disa produkte ruse që të transportohen në linjë hekurudhore, përmes territorit të saj për të arritur në Kaliningrad, një enklavë ruse që ndodhet midis Polonisë dhe Baltikut. Lituania, një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s (ashtu si Polonia), thotë se vendimi i saj është marrë pas konsultimit me BE-në, dhe është në përputhje me sanksionet që ka vendosur blloku ndaj Rusisë. Por siç mund të pritej Kremlini nuk e ka pritur mirë këtë lajm.

Po çfarë është, dhe ku ndodhet Kaliningradi?

Enklava ruse e Kaliningradit ndodhet në Detin Baltik, në veri të Polonisë dhe në jug të Lituanisë. Zona me një sipërfaqe prej 15.100 km2 , e cila është e shkëputur nga Rusia kontinentale, ishte në fillim pjesë e Gjermanisë, derisa Moska e vendosi nën kontrollin e saj në vitin 1945.

U njoh si pjesë e Bashkimit Sovjetik në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dhe emri i saj u ndryshua nga Kënigsberg në Kaliningrad. Popullsia gjermane u detyrua të largohej. Kur u shemb Bashkimi Sovjetik, Kaliningradi u bë pjesë e Rusisë, dhe në vitet që pasuan ai mbajti lidhje relativisht të ngushta ekonomike me shtetet evropiane.

Megjithatë, kjo marrëdhënie rozë ndryshoi kur në pushtet u ngjit presidenti rus Vladimir Putin, dhe sidomos pas sulmit të Rusisë në vitin 2014 ndaj Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë, që solli edhe vendosjen e sanksioneve nga BE.

Çfarë po ndodh tani?

Kompania shtetërore hekurudhore lituaneze, LTG, deklaroi të premten e kaluar se nuk do të lejojë më asnjë produkt nga Rusia që është pjesë e sanksioneve të BE, që të udhëtojë përmes Lituanisë për të arritur në Kaliningrad. Guvernatori i enklavës Anton Alikhanov, thotë se ky vendim ndikon tek rreth 50 për qind të importeve të këtij rajoni.

Tek produktet që janë objekt i sanksioneve përfshihen makineritë e ndërtimit, pjesë makinerish, dhe pajisje të tjera industriale. Udhëtimet e zakonshme tregtare dhe transporti i mallrave që nuk janë në listën e sanksioneve të BE-së, mund të vazhdojnë pa ndërprerje, në një kohë që Kaliningradi mund të furnizohet nga deti me mallra ruse.

Pavarësisht kësaj, Kremlini është i zemëruar nga ky vendim, dhe i ka kërkuar Lituanisë ta shfuqizojë menjëherë atë. Zëdhënësi i Kreminit, Dimitri Peshkov, tha se Rusia e konsideron vendimin e Lituanisë si të paligjshëm dhe “pjesë të një bllokade të Perëndimit”.

Ndërkohë Nikollai Patrushev, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, shkoi një hap më tej, duke paralajmëruar se “Rusia do të kundërpërgjigjet ndaj veprimeve të tilla armiqësore”, dhe “pasojat do të kenë një ndikim negativ serioz mbi popullatën lituaneze”.

Ndërkohë, Lituania i ka qëndruar vendimit të saj, ashtu si BE-ja. Edhe pse Komisioni Evropian po përgatit udhëzime për Lituaninë që të qartësojë sanksionet.

Pse Kaliningradi është kaq i rëndësishëm për Rusinë?

Enklava luan një rol shumë rëndësishëm në aspektin ushtarak për Rusinë, sidomos duke pasur parasysh pozicionin e saj midis dy vendeve anëtare të NATO-s. Moska ka forcuar forcat e saj në këtë zonë, duke i pajisur me armë moderne, përfshirët raketa “Iskander” që janë shumë të sakta, si dhe me një sërë sistemesh të mbrojtjes ajrore.

Armë të tilla mund të pozicionohen lehtësisht për të goditur objektivat në Evropën Perëndimore. Po ashtu Kaliningradi, është porti i vetëm i Moskës në Detin Baltik, që është pa akull gjatë gjithë vitit, dhe strehon flotën ruse të Detit Baltik.

Çfarë do të thotë kjo për Lituaninë?

Rusia ka kërcënuar me “veprime armiqësore”, të cilat do të kenë një “ndikim të rëndësishëm negativ” në Lituani. Por për momentin nuk ka detaje se si mund të jetë kjo hakmarrje. Guvernatori i Kaliningradit Alikhanov, ka deklaruar se reagimi mund të përfshijë “bllokimin e fluksit të mallrave nëpërmjet porteve të Lituanisë dhe vendeve të tjera baltike”.

Gjithsesi, Lituania mund të jetë në një pozitë të mirë për t’u bërë ballë disa reagimeve ekonomike, duke reduktuar ndjeshëm varësinë e saj ekonomike dhe energjetike nga Rusia. Lituania ishte vendi i parë i BE-së që ndaloi përdorimin e gazit rus, dhe që nuk e importon më naftën ruse.

Çfarë mund të thotë kjo përplasje për NATO-n?

Të tria shtetet baltike janë të shqetësuara se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të zgjerohet, dhe se një Rusi e inkurajuar mund të përpiqet të pushtojë një territor strategjik përgjatë kufirit polako–lituanez, të njohur si Hendeku Suvalki.

Nëse ky hendek afro 64 km i gjerë, që lidh Kaliningradin me aleatin rus, Bjellorusinë, bie nën kontrollin e Moskës, Baltiku mund të mbetet pa një korridor tokësor me pjesën tjetër të NATO-s. Por vlen të përmendet se çdo sulm ndaj Lituanisë, Estonisë ose Letonisë do të shkaktonte aktivizimin e nenit të mbrojtjes reciproke të NATO-s. /

“The Week” – Bota.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit