-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Nisma pas skandaleve! 2 miliardë lekë gjobë për privatësinë, ndalohen patronazhistët

Kryesoret

Tetë muaj pas skandalit të daljes së të dhënave personale, qeveria shqiptare është vendosur në lëvizje për të ndryshuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave duke forcuar më shumë penalitetet për shkelësit, por mbi të gjitha për të forcuar sigurinë që raste të tilla të mos përsëriten më. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja shpalosi sot nismën dhe parashikimet në ligjin e ri që është shtruar për diskutim.

Ndryshimi i parë lidhet me përmirësimin e përkufizimit të termave të përdorur në projektligj, si dhe në prezantimin e termave të reja. Risia është që projektligji parashikon për herë të parë të drejta të reja si e drejta për t’u harruar. Këtë të drejtë mund ta ketë një person që të kërkojë të fshihet nga motorët e kërkimit në internet.

“Kjo e drejtë shërben si një garanci në mjedisin online për subjektin e të dhënave, duke detyruar ofruesit e motorëve të kërkimit të fshijnë me kërkesë të subjektit të të dhënave informacionin në lidhje me të, i cili me kalimin e kohës nuk është më i nevojshëm, por kur gjendet ka një ndikim negativ në reputacionin e tij. Qëllimi i kësaj të drejte është të eliminojë çdo gjurmë të të dhënave të çdo personi që dëshiron të “harrohet” përgjithmonë nga rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit në internet si Google apo platforma të tjera kërkimi” thuhet në projektligj.

Parashikohet edhe e drejta për transferueshmërinë e të dhënave. Detyrime të reja parashikohen edhe për kontrolluesit dhe përpunuesit. Gjithashtu parashikohen për herë të parë rregulla mbi përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente për sigurinë publike ose kombëtare dhe për parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale.

Një ndryshim thelbësor që sjell ky projektligji është rishikimi i mandatit dhe kompetencave të Komisionerit në interes të pavarësisë së tij dhe ushtrimit të funksionit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit duke parashikuar për herë të parë, kompetenca ndihmëse, hetimore dhe korrigjuese.

Projektligji prezanton një sistem të ri sanksionesh administrative për shkeljen e dispozitave të tij duke rritur në mënyrë të konsiderueshme masën e gjobës, e cila unifikohet me masën e gjobës që zbatohet nga vendet e Bashkimit Europian, si një tregues i qartë për rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave personale dhe zbatimi i detyrimeve që burojnë nga kuadri ligjor në këtë fushë.

Gjoba shkon deri në 2 miliardë lekë ose deri në 4% të xhiros totale vjetore të përgjithshme për vitin financiar paraardhës në rastin e ndërmarrjeve. Gjobat të arkëtohen në masën 90% në buxhetin e shtetit dhe pjesa tjetër e tyre të arkëtohet në llogarinë e Zyrës së Komisionerit.

“Shkelja e detyrimit për bashkëpunim apo e çdo akti të Komisionerit, sipas paragrafit 1 të nenit 85, moszbatimi i një urdhri, apo kufizimi të përkohshëm ose përfundimtar të përpunimit, ose, pezullimi të shkëmbimit të të dhënave, i nxjerrë nga Komisioneri në përputhje me gërmën b) të paragrafit 2 të nenit 85, duke marrë parasysh edhe faktorët e përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë deri në 2 000 000 000 lekë, ose në rastin e një ndërmarrjeje, deri në 4% të xhiros totale vjetore globale për vitin financiar paraardhës, cilado që është më e lartë” thuhet në projektligj.

Referuar skandalit para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, qeveria tani ndalon mbledhjen e të dhënave nga patronazhistët. Databazë lejohet vetëm për anëtarët e partisë. “Ndalohet përpunimi i të dhënave që zbulojnë origjinën racore ose etnike, mendimet politike, besimin fetar ose pikëpamjet filozofike, anëtarësimin në sindikata, përpunimi i të dhënave gjenetike ose të dhënave biometrike me qëllim për të identifikuar në mënyrë unike një person, si dhe i të dhënave në lidhje me shëndetin, jetën ose orientimin seksual të një personi”.

Këto dhe shumë detaje të tjera të projektligjit janë shtruar për diskutim. Opozita ende s’e ka thënë fjalën e saj.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit