Ministria e Mbrojtjes deklaroi se efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë së bashku me mjetet e tyre i janë bashkuar ndihmës për të gjetur 3 trupat e mbytur në lumin e Bunës.
“Ekipet e efektivëve nga Batalioni i Forcave speciale dhe efektivëve nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile i bashkohen polumbarëve të Repartit RENEA, Njësisë së Sigurisë Publike Shkodër, policisë së Shkodrës, Drejtorisë së Kufirit e banorëve të zonës, të cilët vijojnë kërkimet që prej ditës së djeshme. Deri më tani është gjetur trupi i vajzës 9 vjeçe dhe po kërkohet pa ndërprerje për trupat e nënës dhe 2 fëmijëve të tjerë.
Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë sa herë është e nevojshme në ndihmë të qytetarëve dhe komunitetit”, thuhet ne njoftimin e ministrise.
Ngjarja, e cila është një tragjedi e rëndë e ka zanafillën në dhunën familjare, pasi policia arrestoi bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve, Ergys Arrazi, i cili akuzohet se nxiti gruan dhe fëmijët drejt vëtëvrasjes.