Një 17-vjeçar, i cili kishte fshehur armën në cepin e rrugës në afërsi të shtëpisë po procedohet penalisht nga policia.
Bëhet fjalë për një armë të tipit kallashnikov dhe disa fishek, të cilët policia arriti ti gjente nga një telefonatë e një qytetari.
Mësohet se po në gjendje të lirë po gjykohen dhe dy persona të tjerë, të cilët ishin në dijeni për armën por nuk raportuan.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara falë bashkëpunimit me qytetarët, se në rrugën “Gjergj Legisi”, një shtetas kishte fshehur armë zjarri afër banesës së tij, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll të befasishëm në adresën e dhënë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të kësaj banese, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur mes shkurreve, një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin R. R., 17 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit B. K., 40 vjeç dhe I. Z., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë,” ka njoftuar policia.