Qeveria është e vendosur për miratimin e hartës së re gjyqësore. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi në seancën dëgjimore te komisioni i Ligjeve se harta është bazuar te ligji. Duke iu përgjigjur akuzave për largësinë e qytetarëve me shkrirjen e gjykatave, Manja tha se bota po shkon drejt dixhitalizimit, ku pjesëmarrja fizike shumë shpejt do të zëvendësohet me praninë online.
“Ministri i Drejtësisë në darkë në 2007 shkriu 10 gjykata me një të “rame të lapsit” dhe i mbylli dhe në 2009 u kujtua për qëllime elektorale gjykatën e Përmetit. Problemi i stokut, nuk është vetëm problem shqiptar, edhe në vendet e BE-së ka probleme me stokun, por i kanë paraprirë me mekanizma ligjore me drejtësi alternative.
Në Firence, një nga mekanizmat për lehtësimin e stokut ka qenë ndërmjetësimi. Ne nuk i kemi dhënë shtysën e duhur, që të shqiptarët t’i mësojmë të mos shkojnë në gjithë në dyert e gjykatave. Shumë vende po na japin alternativën e drejtësisë dixhitale, në një të ardhme të afërt, palët do i drejtohen gjykatës pa qenë fizikisht në gjykatë” tha ai.