Partia Socialiste ka rikthyer kërkesën për drejtësinë e re që të mos godasë vetëm majtas, por edhe nga opozita. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri i kërkoi sot SPAK-ut që të shikojë edhe nga opozita, pasi sipas tij, ka ende krime që nuk janë ndëshkuar.
“Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi nga të gjitha anët. Ata që u duken se kanë shpëtuar nga drejtësia nuk kanë të drejtën morale të flasin këtu kur shikojnë se drejtësia sot po godet nga maxhoranca. Unë nuk jam i lumtur kur shoh një koleg në burg. Nuk i bën mirë Shqipërisë kur zyrtarë ndëshkohen nga drejtësia penale. Nuk i bën mirë imazhit të shtetit kur ne demaskojmë shtetin tonë. Kur kërkon të bësh drejtësi nuk mund të godasësh vetëm nga njëra anë. Njerëz me influenca politike dhe kriminale i shpëtojnë drejtësisë.
Këtë i kërkojmë organeve të drejtësisë të mos hanë presionin e partive opozitare. Sepse edhe ju keni format tuaja të presionit. Drejtësia duhet mbështetur dhe duhet lënë të bëjë punën e saj. Unë mendoj se ky proces do marrë kohën e saj por sot ka hyrë në një rrugë pa kthim. Militantët politikë duan të mbrojnë llogoren e tyre. Kemi nevojë të ndëshkohen kushdo që ka shkelur ligjin. Krimet të mos harrohen”, tha ai.