Serbia, përmes misionit të saj pranë OSBE-së në Vjenë, i ka dërguar një notë proteste Misionit të Polonisë, sepse shefi aktual i OSBE-së dhe ministri i punëve të jashtme polake, Zbigniew Rau, “nuk respektoi parimin e neutralitetit të statusit të këtij mision drejt Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë”.
Lajmin për notën e protestës e kanë bërë të ditur mediat serbe.
Në notë shprehet zhgënjimi dhe thuhet se “Serbia vazhdimisht thekson domosdoshmërinë e respektimit të pozicionit neutral ndaj statusit të Kosovës në takimet dhe ngjarjet e OSBE-së, në dokumentet e kësaj organizate, në punën në terren, duke përfshirë vizitat në Prishtinë nga zyrtarë dhe përfaqësues të OSBE-së”.
Përkundër kësaj, u theksua se këto parime janë shkelur në mënyrë të dukshme gjatë vizitës së presidentit Rau në Kosovë, sepse është lejuar që takimet e përfaqësuesve të pushtetit të Prishtinës me Raun të prezantohen si vizitë shtetërore.
Në shënim rikujtohet se “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbetet e vetmja kornizë ligjore për aktivitetet e OSBE-së në Kosovë”.
Këtë para tri ditësh e ka theksuar edhe shefi i diplomacisë serbe, Nikola Selakoviç gjatë vizitës së Raut në Beograd.
“Në territorin tonë kemi dy misione të OSBE-së, njëri në Beograd, tjetri në Prishtinë. Qeveria mbështet punën e misionit në Kosovë si prania më e besueshme neutrale ndaj statusit, puna e të cilit bazohet në Rezolutën 1244”, deklaroi të enjten Selakoviç në një konferencë të përbashkët me Rau.
Serbia shprehu protesta edhe vitin e kaluar kur suedezja Ann Linde, si kryetare e OSBE-së, “shkeli neutralitetin statusor të kësaj organizate” kur gjatë vizitës së saj në Prishtinë u fotografua me presidenten Vjosa Osmani para flamurit të Kosovës.