kIFamilja e Anri Kashikut në Durrës ka hapur dyert e mortit, pasi i riu u mbyt ditën e djeshme, pasi u fut në det për të shpëtuar të vëllanë e tij dhe një tjetër shok të tyre.
Fqinj dhe të afërm të familjes, shprehen të tronditur nga ngjarja.
Ata thonë se Anri këtë vit kishte mbaruar gjimnazin, ndërkohë që familja ndodhet në shok si pasojë e ngjarjes së rëndë që iu ndodhi.
Disa nga rrëfimet e të afërmve:
‘Na vjen keq për të, çfarë të themi ne, hallall i qoftë se ka hyrë me shpëtu njerëz’.
“Ai është njeri i zotit, e ëma e ka marrë vesh nga një djalë i lagjes. Dhe ju ka thënë se është mbytur”.
“Ka qenë i urtë, shpëtoi vëllanë e vetë, o zot nuk di se çfarë drame që po përjetojmë edhe ne. Djali ishte maturant, këtë vit mbaroi”.
Roja bregdetare në Durrës, Igli Shahini ka folur gjithashtu në lidhje me tragjedinë.
Ai ka thënë se ishte vendosur sinjalistika ku asnjë person nuk lejohej që të futej në det, por më pas ai veproi për ti ndihmuar, bashkë me Anri Kashikun dhe punëtorin e çadrave.
“Ishim në krye të detyrës me sinjalistika që të mos lejohej asnjë person të futej në det. Në një moment nuk i pashë dot që u futën po kur I pashë ika direkt për tu dhënë ndihmë, se bashku më vëllain e tij dhe një tjetër në momentin që i morëm dy fëmijët, nisëm tu jepnim ndihmën e parë. Vajtëm të kërkonim për personin e tretë por gjetëm, një kapele. Trupi u gjet pas një orë e gjysmë. Këtu është me kohë të pjesshme por në moment dreke nuk jemi në detyrë”, u shpreh ai.
Policia e Durrësit ka dhënë njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje në zonën e sektorit Rinia, ku mbeti i vdekur 18-vjeçari Anri Kashiku.
Policia thotë se në plazhin ku ndodhi ngjarja kishte roje plazhi, ku ishte vendosur edhe flamuri i kuq, por të miturit nuk i kishin dëgjuar paralajmërimet dhe ishin futur në det.
Për shpëtimin e tyre ishte futur vëllai, Anri, si dhe roja i plazhit. Fatkeqësisht, 18-vjeçari si pasojë e dallgëve nuk ka mundur që të dalë në breg, ndërkohë që dy të miturit shpëtuan pa pasoja të rënda për jetën.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në Sektorin Rinia, Durrës, ku humbi jetën shtetasi A. K., 18 vjec, i cili u fut në det, për të shpëtuar dy fëmijë të mitur dhe vëllain e tij, sqarojmë se:
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje, ka rezultuar se roja bregdetare, shtetasi I. Sh. e kishte vendosur sipas rregullores flamurin e kuq, shenjën paralajmëruese për të mos u futur në det, pasi dallgëzimi ishte i lartë.
Pavarësisht kësaj, fëmijët janë futur në det, duke rrezikuar jetët e tyre.
Pas disa minutash, të miturit i kanë kërkuar ndihmë një shtetasi që po lundronte me një varkë me pedale, afër tyre.
Për të ndihmuar fëmijët, në det janë futur edhe roja bregdetare dhe shtetasi A. K., vëllai i njërit prej të miturve.
Pas ndihmës së dhënë, fëmijët janë nxjerrë në breg, nderkohe qe 18-vjeçari A. K. nuk ka mundur të dalë dot pasi është mbytur për shkak të dallgëve të larta.
Nga ana e punonjësve të Policisë të DVP Durrës dhe DVKM Durrës është ndërhyrë menjëherë dhe pas rreth 50 minutash është gjetur dhe nxjerrë nga uji, trupi i pajetë i shtetasit A. K.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.