Një djalë shtatë vjeçar dhe motra e tij më e madhe janë vrarë nga fishekzjarret gjatë festës së ditës kombëtare të Francës në qytetin perëndimor të Cholet.
“Një fishekzjarr shpërtheu mes njerëzve”, tha kryebashkiaku Gilles Bourdouleix. Ai tha se dy viktimat ishin së bashku me anëtarët e tjerë të familjes rreth 50 metra nga vendi ku po hidheshin fishekzjarret.
Shpërthimi fishekzjarrit shkaktoi panik tek njerëzit. I mitur vdiq në vendngjarje ndërsa motra e tij 24-vjeçare ndërroi jetë nga një atak në zemër më vonë.
Shtatë persona të tjerë u lënduan, raporton BBC. Prindërit e viktimave pësuan gjendje shoku, ndërsa një burrë pësoi djegie të rënda.
Prokurorët vendas kanë hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia.
Kjo është festa e parë me fishekzjarrë në Cholet që pas shpërthimit të pandemisë së COVID. Shpërthimi ndodhi pak pas orës 23:00 mbrëmjen e së enjtes në një fushë futbolli në një distancë të shkurtër nga pika e lëshimit të fishekzjarreve.
“Filloi si një shfaqje me të vërtetë e bukur fishekzjarre. Pastaj papritmas një fishekzjarr erdhi drejt nesh… dhe shpërtheu në turmë, duke shkaktuar shumë dëme”, tha një dëshmitar, Manon, për BFMTV. “Të gjithë u ngritën dhe bërtisnin dhe filluan të shuanin flakët me këmbë ose çfarëdo që kishim në duar”.