Gentian Sula dhe Ardit Topuzi janë arrestuar nga policia pasi kanë grabitur një 62-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur në Dibër, ata arritën të merrnin 4 mln lekë të vjetra nga i moshuari.
Autorët janë arrestuar brenda dy orëve. Ata po udhëtonin me një makinë tip Fiat dhe lekët u janë gjetur dhe sekuestruar nga policia.
Njoftimi i policisë
Sekuestrohet shuma e parave 364.000 lekë të rinj, që i morën me dhunë 62-vjeçarit, si dhe automjeti me të cilin u larguan autorët e dyshuar.
Pas marrjes së njoftimit se në sheshin “Vapori”, në qytetin e Peshkopisë, dy shtetas të paidentifikuar kishin zbritur nga makina dhe i kishin marrë me dhunë një shumë parash shtetasit M. Gj., 62 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime në trup, dhe më pas ishin larguar me shpejtësi me automjet, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe ata të Komisariateve të Policisë Dibër dhe Bulqizë, janë vënë menjëherë në ndjekje të autorëve të dyshuar.
Si rezultat i reagimit në kohë, punës së mirorganizuar dhe bashkëpunimit të strukturave të Policisë, u bë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar dhe lokalizimi i automjetit me të cilin ata po qarkullonin.
Në kuadër të operacionit policor “Vapori”, shërbimet e Policisë bënë të mundur që pas disa orësh ndjekjeje, të kapnin, në aksin rrugor Peshkopi-Bulqizë, 2 autorët e dyshuar, të cilët udhëtonin me një mjet tip “Fiat”, në të cilin, gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe shumën e parave (364.000 lekë të rinj), që i morën me dhunë shtetasit M. Gj.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar:
G. S., 25 vjeç, banues në Dibër dhe A. T., 20 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.