Franca perëndimore po përballet me një “apokalips të nxehtit”, kanë paralajmëruar ekspertët, pasi temperaturat ekstreme vazhdojnë të godasin pjesën më të madhe të Evropës.
Temperaturat mund të arrijnë nivele rekord në 15 rajone të jugperëndimit, me zjarrfikësit që po luftojnë me zjarret dhe mijëra persona të detyruar të evakuohen.
Flakët në Spanjë, Portugali dhe Greqi kanë detyruar mijëra të tjerë të largohen.
Temperaturat rekord priten gjithashtu në disa pjesë të Britanisë së Madhe, e cila ka paralajmërimin e parë të temperaturave ekstreme.
Zjarret në Francë në ditët e fundit kanë detyruar mbi 16 mijë njerëz të largohen nga zona, me strehimore emergjente të ngritura për të evakuuarit.
Gironde, një rajon turistik popullor në jugperëndim, është goditur veçanërisht keq, me zjarrfikësit që po luftojnë për të kontrolluar zjarret që kanë shkatërruar mbi 14 mijë hektarë tokë që nga e marta e kaluar.
Ne iu bashkuam një kolone gazetarësh të shoqëruar në pyll në drejtim të bregut ku kampingjet u braktisën nga pushuesit ditë më parë.
Në fillim mund të shihje retë tymi të varura në pyll, por gjithçka dukej relativisht nën kontroll.
Jean-Luc Gleyze, president i rajonit Gironde, i tha medias britanike “BBC” se zjarret kishin vazhduar të rriteshin në La-Teste-de-Buch dhe Landiras për shkak të motit të nxehtë dhe me erë, duke e bërë të vështirë për zjarrfikësit t’i kontrollonin ato.
Më shumë fshatra do të duhet të evakuohen, shtoi ai.
Vala e të nxehtit ka shkaktuar paralajmërime për atë që një meteorolog e përshkroi për agjencinë e lajmeve AFP si “një apokalips nxehtësie” në disa zona të jugperëndimit.
Në Spanjë dhe Portugali, më shumë se 1 mijë vdekje i janë atribuar vapës ditët e fundit.
Në provincën qendrore të Zamora, ku një zjarr ka ndezur që nga fundjava, trupi i një bariu u gjet në vargmalin malor Sierra de la Culebra. Ai është viktima e dytë fatale e zjarrit në Zamora, pasi një zjarrfikës 62-vjeçar u vra të dielën.