Që prej arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, SPAK ka rënë në heshtje për dosjen e inceneratorit të Fierit. Në 18 shkurt, prokuroria e posaçme mori në pyetje kryetarin e bashkisë së Fierit, Armando Subashi për procedurat dhe shpronësimin e tokës ku u ndërtua impianti i trajtimit të mbetjeve dhe asgjë më shumë. Këtu mbeti gjithçka.
Toka ku do të ndërtohej inceneratori që nga arë u falsifikua truall për t’i rritur vlerën është fillimi i procedurës dhe ishte bashkia Fier e drejtuar nga Subashi që i propozoi Lefter Kokës hapësirën për shpronësim që qeveria e miratoi me vlerë 46290060 lekë. Në këtë procedurë, SPAK konstatoi falsifikim duke çuar pas hekurave ish-ministrin dhe deputetin Bllako.
“Në lidhje me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Ish Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”” tha SPAK.
“5pyetjet.al” e ka siguruar vendimin e qeverisë së firmosur nga Edi Rama për shpronësimin e tokës, që rezulton se i ka sjellë shtetit një dëm ekonomik në vlerën 16. 288.344 lekë. Por pyetja që tani shtrohet është se përse SPAK u mjaftua vetëm me kaq?
Armando Subashi nga hetimet rezulton se ka pasur një rol në pagesën për shpronësimin e paligjshëm të tokës ku është ndërtuar inceneratori i Fierit, siç edhe vetë SPAK e ka konstatuar kur ka marrë masën e sigurisë ndaj personave nën hetim Lefter Koka, Alqi Bllako dhe Pëllumb Abeshi.
Subashi ishte personi që ka vënë në dijeni Ministrinë e Mjedisit për kualifikimin e tokës duke lënë të kuptohet se kishte dijeni për shkeljen. Shpronësimi u bë nga bashkia e Fierit, dëmi ekonomik iu shkaktua po kësaj bashkie, ndërsa SPAK deri tani është mjaftuar vetëm me marrjen në pyetje të Armando Subashit.