Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lijian Zhao, deklaroi se NATO duhet t’i kërkojë falje autoriteteve serbe për jetët e humbura gjatë bombardimeve.
Lajmi u bë i ditur nga zyrtari kinez, përmes një statusi në median sociale “Twitter”.
“NATO duhet t’i kërkojë falje Serbisë, Irakut, Libisë, Sirisë, Afganistanit, për 900 mijë jetët e humbura nga luftërat dhe për dhjetëra miliona refugjatë”, thekson Zhao.
Por, kjo retorikë nuk përbën aspak risi në repertorin e diplomacisë kineze kundrejt heshtjes ndaj Kosovës dhe zërit ndaj Serbisë.
Më 2 korrik, Zhao vuri në dukje se si Shtetet e Bashkuara, sipas tij, shtypën gjithashtu mediat e synuara për të manipuluar narrativën e luftërave.
Zëdhënësi kinez vërejti se në Luftën e Kosovës, NATO-ja e udhëhequr nga SHBA-të bombarduan selinë e “Radio Televizionit të Serbisë në Republikën Federale të Jugosllavisë”.
Kjo e fundit, shtoi Zhao, vrau dhjetëra praktikues dhe civilë të medias në mënyrë që të ndalonte mediat nga raportimi i vërtetë i situatës për pjesën tjetër të botës.
Më 10 qershor, po i njëjti zyrtar deklaronte se “SHBA-të janë vendi që dërguan avionë ushtarakë për të hedhur bomba me uranium të varfëruar mbi Serbi duke shkaktuar sindromën e Kosovës”.