-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kosova i përgjigjet Putinit për shqiptarët në Ukrainë: Putin, propagandë

Kryesoret

Rusia pretendon se prej 24 shkurtit – kur ka nisur sulmet në shkallë të gjerë në Ukrainë – e deri më 17 qershor, kësaj lufte i janë bashkuar edhe 156 mercenarë nga Kosova.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi një listë me numrin e pretenduar të mercenarëve nga shtete të ndryshme të botës dhe Kosovën e renditi në vendin e nëntë.

Aty, po ashtu, pretendohet se Rusia ka eliminuar 61 mercenarë nga Kosova, ndërsa për 60 të tjerë thuhet se janë larguar.

Aktualisht, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, 35 shtetas të Kosovës mbeten pjesë e luftës në Ukrainë.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se nuk kanë të dhëna për këto pretendime.

“Ne nuk kemi asnjë informacion për asnjë qytetar të Republikës së Kosovës që është pjesë e luftës në Ukrainë, e për më pak se paskemi edhe viktima në mesin e tyre, ashtu siç paskan deklaruar agjencitë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit”, tha ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se të gjitha pretendimet e Rusisë, në raport me Kosovën, janë propagandë.

“… me qëllim që të arsyetojë agresionin e saj të padrejtë dhe të paprovokuar në Ukrainë, por edhe t’i mobilizojë radhët e veta dhe mbështetësit e saj kundër vendeve demokratike, liridashëse, ndër të cilat është edhe Republika e Kosovës”, tha Sveçla.

Kosova, për më tepër, ka në fuqi Ligjin për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura jashtë Territorit të Vendit.

Me këtë ligj, çdo qytetar i Kosovës që i bashkohet ndonjë konflikti të armatosur jashtë vendit, mund të përballet me dënim me burgim nga 5 deri në 15 vjet.

Ligji

Dispozitat e ligjit në fjalë parashohin dënime prej 5 deri në 15 vjet burgim për këdo që organizon, rekruton, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave, me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë, për këdo që në çfarëdo mënyre – të drejtpërdrejtë ose të tërthortë – ofron, kërkon, mbledh ose fsheh fonde apo mjete të tjera, parashihet dënimi me burgim prej 3 deri në 15 vjet.

Edhe thirrja ose nxitja e të tjerëve për kryerjen e veprave penale, qoftë përmes shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke u përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, dënohet me burg prej 6 muajsh deri në 5 vjet.

Ngjashëm dënohet edhe moslajmërimi i përgatitjes së veprës penale, apo veprës penale të kryer, si dhe strehimi i kryerësve të veprës penale dhe ndihma ndaj tyre.

“Ky ligj vazhdon të jetë në fuqi, prandaj është edhe një ndalesë për cilindo që mendon të bëhet pjesë e luftërave”, tha Sveçla.

Në muajin shkurt, pak ditë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar se “mercenarë nga Kosova” po dërgohen në Donbas të Ukrainës.

Në këtë rajon, forcat qeveritare të Ukrainës luftojnë separatistët prorusë qysh në vitin 2014.

Në përgjigje të deklaratës së Lavrovit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë se zyrtarët rusë janë duke bërë “fushatë të egër propaganduese” kundër shtetit të Kosovës.

Drejtori i Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Lulëzim Peci, njëherësh hulumtues i fushatave dezinformuese të Rusisë në raport me Kosovën, thotë se nuk ka asgjë të vërtetë sa u përket listave me mercenarë që publikon Rusia.

“Kjo çfarë thotë Rusia, është vetëm pjesë e propagandës së saj, e cila është e orientuar ndaj vendeve që kanë qëndrim properëndimor, pra që janë me Perëndimin. Asgjë më tepër nuk ka aty dhe, normalisht, Rusia e ka Kosovën gjithmonë cak të posaçëm”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

Rusia, shton ai, propagandon kundër çdo vendi që rreshtohet në anën e kundërt të saj, e në veçanti kundër vendeve që janë anëtare apo që e mbështesin NATO-n.

Këtë aleancë ushtarake, Rusia e sheh si rivale dhe pretendon – pa asnjë provë – se zgjerimi i saj paraqet kërcënim për të.

Kosova, sikurse shumica e vendeve të Ballkanit, u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Listën ruse me shifrat e pretenduara të mercenarëve e publikoi më 18 qershor, në një postim online në gjuhën shqipe, edhe Ambasada e Rusisë në Shqipëri.

Nga disa komentues në profilin e kësaj ambasade në Facebook, lista u cilësua e pavërtetë dhe propaganduese.

“Një listë si kjo mund ta përgatisë gjithkush në kompjuter. Kjo nuk është aspak e besueshme”, shkroi një komentues.

“Në histori, Rusia ka pasur dhe ka makinerinë më të madhe dhe më të fuqishme të dezinformimit”, shkroi një komentues tjetër.

Në vendin e dhjetë për nga numri i mercenarëve në luftën në Ukrainë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e listoi Shqipërinë.

Sipas pretendimeve ruse, 150 mercenarë nga Shqipëria iu bashkuan luftës nga 24 shkurti deri më 17 qershor.

Prej tyre, gjithnjë sipas shtetit rus, 42 janë eliminuar, 40 janë larguar dhe 68 janë ende të pranishëm atje.

Pretendimet e tilla i hodhi poshtë Tirana zyrtare.

Shqipëria, po ashtu, ka ligjin që dënon deri në 15 vjet burgim pjesëmarrjen në luftëra të huaja./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit