Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla tha sot në Kuvend se lista që Britania e Madhe ka shpallur “non grata” është e njëjtë me atë të SHBA-së duke vendosur në krye të saj Sali Berishën.
“Mbretëria e Bashkuar ka njësuar, do të thosha unë, listën e shpallur nga SHBA dhe natyrshëm, që pyetja që shtrohet është për njërin në fund të sallës.
Mirë Atlantikun me not nuk e kalove dot, po La Manshin e kalon dot me not non grata e PD-së? Po e kaloi, besoj që biem të gjithë dakord se mund t’ja arrijë qëllimit” tha ai, referuar Sali Berishës.
Stuart Peach, i cili është i dërguari special i kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor njoftoi sot se ka gati listën e zezë me politikanët që do të sanksionohen.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkoi më tej se Stuart Peach, kur tha sot në Kuvend se Sali Berisha është në listën e zezë së Britanisë pas SHBA-së. Ambasadorja amerikane reagoi disa orë më pas duke thënë se e “mirëpresin vendimin për sanksione nga Britania”.