Qani Shehu dhe Albani Zepaj janë ekstraduar ditën e sotme nga Greqia në Shqipëri.
Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Ekstradohen nga Greqia drejt Shqipërisë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.
“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athina/Greqi, u bë i mundur arrestimi në Greqi dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Qani Shehu, 44 vjeç, lindur në Mallakastër dhe Albano Zepaj, 39 vjeç, banues në Vlorë.
Shehu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 15.05.2015, e ka dënuar me 8 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake,” ka njoftuar policia.
Shtetasi Albano Zepaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 18.05.2016, e ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”. Personat e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.