Dy deputetët Bujar Leskaj dhe Ina Zhupa thyen sot vendimin e grupit të PD-së të drejtuar nga Sali Berisha për të bojkotuar seancën e betimit të presidentit të ri Bajram Begaj. Në një prononcim për mediat, Zhupa rrëfeu arsyen se përse mori pjesë dhe për këtë tha se kishte vendosur në dijeni edhe Sali Berishën.
“Procesi i zgjedhjes së Begajt ishte i njëanshëm, që u nis dhe mbyll në kryesinë e PS-së, ndryshe nga sa meritonte, që i takonte edhe për cështje legjitimiteti opozitës.
Por pavarësisht si u zgjodh, nuk mund ta paragjykoja që sot betohej, duhet të shpresoj që të jetë në lartësinë e pozicionit që ka marrë sot, si garant i kushtetutës dhe mbi palët për të respektuar ligjet e vendit.
Si deputete e kisha edhe nga detyrat e mia, pasi procesi është kushtetutës dhe mandati më detyron të respektoj kushtetutën dhe institucionet e vendit. Jam e bindur që Begaj që do të jetë Presidenti që do të dekretojë edhe qeverinë e PD-së, do të kemi edhe takime të tjera.
Ju e keni parë deklaratën e PD-së, ajo që ka ndodhur është e drejtë që PD e cilësoi ditë e vendosjes së monizmit. Nuk është se kemi pasur mbledhje apo vendimmarrje grupi, por qëndrim zyrtar dhe secili merr vendimin e vet. Patjetër që Berisha është në dijeni që jam këtu” tha ajo.