Ditën e sotme është ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë, Lekë Prendi, i njohur edhe me emrat Aleks Kola dhe Nikolin Pacani. Ai është dënuar me 21 vite burg për vrasjen e një prifti.
Lekë Prendi pas vrasjes së priftit Gjovalin Prendi ishte larguar drejt Britanisë dhe pretendonte se ishte refugjat me emrin kosovar Aleks Koka. Këtë emër ai e përdorte edhe kur u arrestuar nga policia britanike në korrik 2013.
Ai u identifikua përmes gjurmëve të gishtërinjve si vrasësi i priftit Gjovalin Prendi në 10 prill 2000 gjatë një grabitje të armatosur rreth orës 23:00 të një autobusi të mbushur me 22 klerikë në Pukë.
Lekë Prendi ishte pjesë e një bande prej 5 grabitësish të maskuar, të cilët i bënë pritë autobusit me klerikë për t’i grabitur. Por arma e 42-vjeçarit u shpreh aksidentalisht duke vrarë priftin.
“Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë, një person i shumëkërkuar, i dënuar me 21 vjet burgim, për vrasje. Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga specialistët e Interpol Tirana, falë koordinimit dhe bashkëpunimit me autoritetet policore të Mbretërisë së Bashkuar, u bë ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit: Lekë Prendi alias Aleks Kola alias Nikolin Pacani, 42 vjeç. Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar këtë shtetas me 21 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me pasojë vdekjen” dhe “Armëmbajtja pa leje” .
Lekë Prendi, 42 vjeç është dënuar në mungesë me 21 vite burg për një vrasje të kryer më 10 Prill 2000. Bëhet fjalë për vrasjen e Gjovalin Prendit gjatë një grabitjeje autobusi në Kukës. Prendi fshihej në Angli duke përdorur emrin e rremë, të cilin e ka përdorur në të gjitha proceset gjyqësore të ekstradimit nisur që në vitin 2013. Gjykata e ekstradimeve Westminster Magistrates Court vendosi që ai të ekstradohej por çështja mbërriti në Gjykatën e Lartë angleze “High Court”, e cila e bllokoi ekstradimin në vitin 2015.
Megjithatë Ministria e Drejtësisë në Shqipëri nuk u dorëzua dhe lëshoi një urdhër të ri për arrestimin e tij duke sjellë një provë të re përpara gjykatës. Lekë Prendit i ishin marrë shenjat e gishtërinjve në Itali, kur fshihej atje përpara se të mbërrinte në Angli. Në Itali, Prendi kishte deklaruar se quhej Nikolin Pacini. Gjyqtari Tan Ikram tha se Aleks Kola dhe Lekë Prendi ishte i njëjti person dhe se duhet të ekstradohej. Kjo çështje ekstradimi ka mbërritur në zyrën e ministres së brendshme Priti Patel, e cila duhet të hedhë firmën mbi dokumentin final të ekstradimit” mbyllet njoftimi i policisë.