Katër policë janë pezulluar nga detyra në Vlorë me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës dhe një tjetër po hetohet në detyrim paraqitje. Efektivët akuzohen se kanë marrë shuma parash për të mos evidentuar shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor nga qytetarët, duke mos u vënë masë administrative, me qëllim përfitimin e shumave të parave, si edhe kanë falsifikuar të dhënat e fiksuara nga radari në kundërshtim me ligjin.
NJOFTIM I PLOTE
Më datë 25.07.2022, Drejtoria Rajonale e AMP Vlorë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masat e sigurimit ndaj 5 punonjësve të policisë në Sektorin e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë.
Në kuadër të procedimit penal nr. 216/2022 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, i ndjekur me metodat speciale të hetimit për një periudhë disa mujore, regjistruar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, ndaj;
1. Inspektor R. M., me detyrë trup shërbimi në Sektorin e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë.
2. Inspektor A. XH, me detyrë trup shërbimi në Sektorin e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë.
3. Inspektor E. K., me detyrë trup shërbimi në Sektorin e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë.
4. Inspektor T. K., me detyrë trup shërbimi në Sektorin e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë.
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj ish punonjësit të policisë;
5. M. Ç., ish punonjës policie në Sektorin e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë.
Nga hetimi i kryer në kuadër të këtij procedimi penal është arritur të dokumentohet me prova ligjore se këta shtetas, në disa raste të ndryshme kanë marrë shuma parash për të mos evidentuar shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor nga qytetarët, duke mos u vënë masë administrative, me qëllim përfitimin e shumave të parave, si edhe kanë fallsifikuar të dhënat e fiksuara nga radari në kundërshtim me ligjin, duke sjellë si pasojë dëm të konsiderueshëm ekonomik dhe cënimin e interesave të ligjshëm të shtetit.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.