Paraditen e sotme policia e Lezhës njoftoi se zbuloi pas 6 vitesh autorin e vrasjes së ish-drejtorit të OST-së për zonën e veriut, Saimir Jaku në Lezhë duke e arrestuar.
Ai është Dorjan Keqi 40 -vjeç. Një burim nga grupi hetimor në policinë e Lezhës tha për “5pyetjet.al” se Keqi ditën e djeshme ishte në gjykatë për shkak të një gjyqi që kishte.
Ai ishte kapur i dehur në timon dhe përfundoi në gjyq, ku iu morën shenjat e gishtave dhe që nga anlizimi rezultoi se ishin të njëjtat me ato të gjetura pas vrasjes në një makinë që po digjej.
Policia pasi e ka lokalizuar e rrethoi duke i vendosur prangat. Më pas i është komunikuar akuza.
Pas killerit që është paguar për vrasjen, sipas policisë qëndron një grup kriminal në Lezhë. Por kush është në krye? Policia nuk dha detaje, por në dorë të prokurorisë ndodhet një “minierë ari”, pasi në shtëpinë e Keqit u gjetën dhe sekuestruan 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.
Hapja e këtyre telefonave dhe informacioni që mund të gjendet brenda tyre pritet që të çojë drejtësinë në majën e grupit kriminal. Gjithashtu policia dhe prokuroria shpresojnë se autori do të bashkëpunojë për të treguar shokët.