Partia Demokratike ka reaguar pas përplasjes së vazhdueshme mes drejtorit të Doganave, Gent Gazhelit dhe mediave të biznesmenit Irfan Hysenballiu.
Kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje Gazhelit, duke cilësuar se sulmi i doganave ka ardhur si pasojë e një evazioni të madh fiskal të birrës Tirana.
Sekretarja për Transparencën, Luftën kundër Korrupsionit dhe Kthimin e Pronave në PD, Ledina Mandia është shprehur se veprimet e fundit të Gazhelit si, emërimet nepotike në sektorë kyç, dhe vjedhja e hapur me manipulim të vlerës së makinave luksoze po tejkalon kufijtë e krimit.
“Me bëmat si kryedoganier, ai po kalon edhe Elisën e çudirave duke i bërë doganat një botë të zhvatjes për xhepat personalë dhe arkën e partisë-shtet.
Partia Demokratike dëshiron të theksojë se:
Mbreti Gent i hajdutërisë së doganave nuk është asgjë më shumës e gazheli i radhës i Edi Ramës.
Ai është maska e një fytyre qeveritare, që nuk bën dot më shumë se makijazh për vjedhjet dhe vjedhje për makijazhin.
Ai është një Hamza i shtetit në sulltanatin e një njeriu që, ashtu si Enver Hoxha, ka në dorë të gjithë hallkat e pushtetit. Ai është masha për të mos djegur duart kryekleptokrati, në një zjarr që ngroh oligarkët dhe djeg Shqipërinë.” është shprehur ajo.