SPAK njoftoi sot se Gjykata e Posaçme i ka bllokuar 23 pasuri biznesmenit Anton Gjinaj, i dënuar nga Spanja dhe që po vuan dënimin në burgun e Reçit në Shkodër. Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi thotë se në janar të këtij viti kallëzoi Erion Veliajn se ka shpërdoruar detyrën duke shpallur fitues në tenderat e rindërtimit në lagjen “5 Maj” në Tiranë, me vlerë më shumë se 10 milion euro, kompaninë “ALESIO – 2014” shpk në pronësi Gjinajt, që sot u sekuestrua. Bardhi thotë se SPAK njoftoi sot sekuestron, por jo hetimet për abuzimin me ligjin nga “Erjon Veliaj dhe Bashkia Tiranë”.
“Në emër të Partisë Demokratike më 27 Janar 2022 kam kallëzuar në SPAK Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Në shkelje të ligjit Bashkia Tiranë kishte kualifikuar dhe shpallur fitues në tenderat e rindërtimit në lagjen “5 Maj” në Tiranë, me vlerë më shumë se 10 milion euro, kompaninë “ALESIO – 2014” shpk. në pronësi të një personi me rekorde të rënda kriminale.
SPAK ka njoftuar sekuestrimin e kompanisë që ka fituar tenderat e rindertimit në lagjen “5 Maj” dhe pasurisë së këtij shtetasi. Ndërkohë nuk ka asnjë njoftim mbi fazën në të cilën ndodhen hetimet për abuzimin me ligjin nga Erjon Veliaj dhe Bashkia Tiranë. Hetimet gjysmake nuk janë drejtësi, por pandëshkueshmëri.
SPAK duhet të ngrihet në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë. Zyrtarët publik që kanë abuzuar me ligjin duke fuqizuar me fonde publike persona me rekorde kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi penale. Koha është tani, na provoni që të gjithë janë të barabartë para ligjit. Na provoni që askush nuk është mbi ligjin dhe nuk gëzon imunitet për shkak të statusit të tij” shkruan ai.