Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i është përgjigjur kërkesës së deputetit Petrit Vasili, ku kërkon informacion në lidhje me email-in e dërguar nga Autoriteti i Dosjeve, ku u tha se ishte e tronditur nga ajo që kishte lexuar, duke nënkuptuar atë që doli më vonë në media, se Ilir Meta kishte qenë sigurims. Petrit Vasili i kërkoi letrën, por Nikolla nuk pranon.
“Në përgjigje të kërkesës suaj për informacion, nr. 2665, datë 28.07.2022, Ju bëj me dije si më poshtë: Veprimet e mia si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë udhëhiqen vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ligjet dhe Rregullorja e Kuvendit.
Në deklaratën time të datës 27 korrik, nisur nga interesimi i madh i mediave, informova mbi letrën drejtuar Kryetares së Kuvendit nga Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, institucion i cili raporton në Kuvendin e Shqipërisë, “Informacion mbi disa çështje të cilat Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ndesh gjatë punës së tij të përditshme”, të cilën e gjeni bashkangjitur.
Është në praktikën parlamentare që Kryetari i Kuvendit ndan informacione me kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare të Kuvendit”, shkruhet në përgjigjen e Nikollës.