Dy persona janë arrestuar nga polica e Durrësit për shkak se kundrejt pagesës po kalonin emigrantë të paligjshëm jashtë kufirit. Policia e Durrësit në rrugë informative u njoftua se një shtetas kosovar po ndihmonte personin tjetër të kalonte kufirin në portin e Durrësit.
Po ashtu një 28 vjeçar kishte mashtruar një egjiptian që do ta kalonte përtej kufirit të Shqipërisë dhe janë arrestuar në Rinas.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare në Durrës dhe Rinas, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të kundërligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për 2 raste të transportimit të emigrantëve, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit shtetëror, kundrejt fitimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Benefit”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:
-M. K., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mashtrimi”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas kishte mashtruar, me qëllim përfitimi, shtetasin E. G., 29 vjeç, banues në Egjipt, se do ta transportonte me automjetin e tij, për të kaluar kufirin në mënyrë të kundërligjshme. Më pas, në Manzë, 28-vjeçari ka nxjerrë shtetasin E. G. nga automjeti dhe ka vijuar rrugën për në Aeroportin e Rinasit, ku u arrestua nga shërbimet e Policisë Kufitare.
-F. A., 46 vjeç, banues në Kosovë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Durrës, duke ndihmuar shtetasen A. G., banuese në Kosovë, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit shtetëror.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.