Pas depozitimit nga PS të dy projektligje për ligjin për të drejtën e informimit për dokumentet e sigurimit të shtetit, ka ardhur mbështetja edhe nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj që ka çuar sot në Kuvend një projektligj për deklasifikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944–1991. Deputeti Kreshnik Çollaku u shpreh se 31 vite pas rënies së regjimit komunist, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën e asaj që ishte diktatura më e egër dhe më çnjerëzore, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe të Evropës e më gjerë. PS u vendos në lëvizje pas letrës që Autoriteti i Dosjeve i dërgoi Kuvendit që e njoftonte se Ilir Meta, pra ish-presidenti kishte dalë spiun i sigurimit nga dosjet që kishin hapur dhe i kërkoi që të ndryshojnë ligjin që të riverifikohen personat që më parë kanë marrë certifikatë pastërtie si rasti i kreut të partisë së Lirisë.
Projektligji
PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR. 8457, DATË 11.02.1999 “PËR INFORMACIONIN TË KLASIFIKUAR “SEKRET SHTETËROR”, i NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e e një grupi deputetësh,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtëror””, i ndryshuar, bëhet shtesa, si më poshtë vijon:
Neni 1
Në nenin 13, pas paragrafit të gjashtë, shtohet paragrafi i shtatë me përmbajtje si më poshtë:
Përjashtimisht, konsiderohen të deklasifikuara dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë. Nga zbatimi i kësaj dispozite, përjashtohen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare. Neni 2 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.