Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti do të kthehen sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku qëndruan për vizitë zyrtare që nga e hëna.
Menjëherë pas arritjes në Kosovë, ata do të mbajnë një konferencë për media në aeroport, ku do të flasin rreth vizitës. Lajmin e ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës, përmes një njoftimi për media.
“Sot (30.07.2022), në orën 12:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe Kryeministri Albin Kurti, mbajnë konferencë për media lidhur me vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Osmani dhe Kurti, u takuan me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, derisa morën pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes energjetike mes Kosovës dhe MCC, nënshkrimin e së cilës e bëri Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.