Mëngjesin e sotëm një aksident automobilistik në Janinë i ka marrë jetën një çifti shqiptar.
Të ndjerët ishin duke u kthyer në Greqi pas pushimeve në vendlindje me fëmijët e tyre, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar me lëndime të lehta.
Aksidenti ndodhi kur çifti i shqiptarëve e ndali makinën e tyre në një xhep të autostradës për të ekzaminuar një problem që ishte shfaqur gjatë udhëtimit.
Shoferi dhe kryefamiljari ishte 58 vjeç dhe gruaja e tij 50 vjeçe. Ata kishin dalë për të parë se çfarë po ndodhte për shkak të defektit mekanik, duke lënë të hapur derën e shoferit dhe derën direkt pas sediljes së shoferit.
Një mjet tjetër që kalonte me shpejtësi nuk i ka parë dhe e ka përplasur makinën e ndalur, duke u shkaktuar lëndime të rënda të dyve.
Përpjekjet e mjekëve në vendngjarje kanë qenë të mëdha, por sipas informacioneve të ERT të Janinës, burri ka ndërruar jetë në vend, ndërsa gruaja e tij gjatë transportit për në spital.
Ndërsa dy fëmijët që ndodheshin në mjet janë dërguar në spital, pasi janë tronditur rëndë sepse gjithë skena e aksidentit ka ndodhur para syve të tyre./epiruspost.gr