-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Pikturat e Ramës, nuk janë alibi e Metës

Kryesoret

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Le të bëjmë një marrëveshje të përkohshme, për të qetësuar gjakrat e ndezura të të gjithë atyre që të keqen e Ilir Metës e gjejnë te veset e Edi Ramës. Le të pranojmë se shefi i tanishëm i qeverisë ka qenë ilustrues i revistës “Në shërbim të popullit”, se është paguar përmes honorarëve për krijimet e tij, se ka qenë i zgjedhur, qoftë edhe për një ilustrim, se e gjithë kjo histori i Ilir Metës është e sajuar prej tij, të gjitha, le të bëjmë marrëveshje dhe t’i pranojmë, por, asnjëra prej këtyre nuk është në përgjigjen e asaj që është shtruar: A ishte Ilir Meta, ish-presidenti i këtij vendi, që ka kaluar në të gjitha postet më të rëndësishme të Shqipërisë, pikërisht ai që sot, me të drejtë apo jo, është cilësuar nga Autoriteti i Dosjeve si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit?

– Advertisement –

Edi Rama mund të jetë gjithçka, por kjo nuk përbën alibi për të shkuarën e Ilir Metës. Sa më shumë që mburoja e tij të jetë e shkuara e shefit të sotëm të qeverisë, aq më tepër njeriu mund të dyshojë se e gjithë kjo, nuk është asgjë tjetër veçse mjegulla që kërkon të bjerë mbi të vërtetat e tjera. Nëse Meta synon të krijojë alibinë e pafajësisë përmes deklarimeve të Berishës, është njëjtë si të mbulojë lakuriqësinë përmes gjetheve të fikut. Berisha, prej shumë kohëve, edhe kur të mbron me pasion, si rasti i tanishëm, edhe kur të sulmon me furi të shfrenuar, si ndodhte disa kohë më parë kur hasmi i tij ishte pikërisht Ilir Meta, është i pabesueshëm. Të mbrojë një që po mbytet në detin e politikës, të korrupsionit, të non gratës së madhe, është njëjtë si të vërtetojë dënimin dhe aktin e djeshëm. Çdo njeri i politikës në këtë vend ka kaluar përmes Berishës në dy faza të ndryshme: herën e parë kur të përkëdhel dhe të bën të adhurueshëm dhe ky është çasti kur je krah tij, dhe tjetri, kur të fundos në çastin kur mendon se tani je përballë tij.

Berisha nuk mbron dot askënd, në fakt ai nuk mbron dot as veten dhe as familjen e tij dhe është në ankthin se cili shtet tjetër europerëndimor do e shpallë të pa dëshirueshëm. Të futesh në qoshen e ringut dhe të presësh mbrojtjen nga Petrit Vasili, të cilit nuk i besuan as 400 qytetarë të Tiranës dhe që nuk i kanë besuar as kur ishte ministër dhe as kur ishte kryetar “famëmadh” i LSI-së, është njëjtë sikur të pranosh se je i fajshëm. Lëre pastaj, sikur të fillojnë dhe të mbrojnë ata që kanë të njëjtin hall me Ilirin, që kanë tundur tani certifikatën e virgjinitetit politik, edhe pse e dinin se ishin të përmjerrë. Problemi është tej asaj që quhet Edi Rama, tej asaj që quhet zonja e Autoritetit të Dosjeve, tej belbëzimeve të dorës së dytë: ishte apo jo Ilir Meta njeriu për të cilin flasin të deleguarit në zyrat e dosjeve të errëta? Nëse e gjitha kjo është një lojë e poli tikës, atëherë dëmi i parë i madh, rënia e një institucioni të rëndësisë së veçantë, nga ku varet fati i shumë njerëzve.

Nëse, atëherë institucioni i Autoritetit të Dosjeve nuk ekziston më. Së bashku me të bien edhe shumë institucione të tjera dhe kataklizmi është si një ortek, që do të mund të përfshinte sfera më të mëdha të jetës, sesa fati i Ilir Metës. Shefi i tanishëm i qeverisë as nuk e mbron dot dhe as e fundos dot të akuzuarin e Autoritetit të Dosjeve. Ndërhyrja e tij në këtë kohë është si e çdo funksionari të rëndësishëm, aq më tepër nga kampi kundërshtar. Sikur Ilir Meta do të kishte qenë tani në një aleancë politike me Edi Ramën, bubullimat dhe gjëmimet politike të Berishës do të dëgjoheshin deri në majën e malit të Tomorrit.

Shefi i tanishëm i qeverisë mund të jetë gjithçka, por nuk është çadra, pas veseve të së cilit mund të fshihen gjynahet e një lojtari të rëndësishëm të politikës, që deri disa vite më parë ishte i domosdoshmi i politikës. I treti, por i domosdoshmi. Nëse Meta nuk ka arsye të tjera për të shfaqur publikisht, atëherë kërcënimet e të tjerëve, qoftë edhe shefit të qeverisë, shfletimet e dosjeve publike, të koleksioneve të gazetave dhe revistave, gjetja e një ilustrimi apo fotot lakuriq, asnjëra veç e veç dhe të gjitha së bashku, nuk përbëjnë alibinë e të vërtetës. Ata e rëndojnë të vërtetën, duan ta fundosin, duke bërë luftën e dikurshme: kush është më fajtor, unë apo ti? Gjithçka mund të zgjidhet, ashtu si e kanë zgjidhur edhe qytetarë të tjerë. Jo shumë larg në kohë, përmes një komisioni politik, Berisha synoi të largojë nga politika kundërshtarë të tij. Mes të tjerëve edhe deputetin e Shkodrës, Shaqir Vukaj, duke i krijuar nga hiçi një dosje politike, e cila e pengonte të ishte pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Vukaj kërkoi zbardhjen e dosjes së tij, hapjen dhe gjithçka kaloi në gjyq, ku, edhe pse ndjehej rëndesa e pushtetit të Berishës, e vërteta zbardhi të shkuarën e tij. Ilir Meta ka më shumë shans se ai, shoku i tij i dikurshëm politik. Ai mund të kërkojë hapjen publike të dosjes së tij, të njihen të gjithë me të, të ketë secili gazetar apo analist, edhe ata që e mbrojnë pa lexuar e pa ditur asgjë, të drejtën të njohë dhe të analizojë, dhe çdo gjë të jetë në dritën e diellit. Kjo është e vetmja rrugë. Sa më shumë e vonon, aq me tepër hidhen dyshime, të cilat një ditë, do apo nuk do ai, do të njihen si fakte.

Ajo që përbën edhe problemin më të madh nuk është fati i Ilir Metës, thelbi i gjithçkaje është në pyetjen pasuese : Vërtetë Sigurimi i Shtetit ka pasur kaq shumë forcë, mundësi, njerëz, burime financiare, që edhe 30 vite pas rrëzimit të sistemit të diktaturës së proletariatit, jo vetëm të vendosë për fatin e të rekrutuarve të tij, por edhe njerëzit ta besojnë se kështu ka ndodhur. Nuk do të ishte hera e parë që ndodh kjo. Bundeskancelari gjerman, ndër më të shquarit, pa dyshim krijuesi i politikës moderne të paqësimit të Lindjes dhe Perëndimit, Fitues i Çmimit Nobel, Willy Brandt, një ditë zbuloi papritmas se njeriu i tij më i afërt, nuk ishte asgjë tjetër veçse një bashkëpunëtor i hershëm i shërbimit të zbulimit të Gjermanisë Lindore dhe i KGB-së. Edhe figura të tjera të njohura në kohën e tyre më pas rezultuan se kishin qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të sigurimit në vendin e tyre në kohën e diktaturës. A është Ilir Meta një rast i tillë? Këtë mund ta thotë vetëm ai fillimisht, dhe nëse hesht e kërkon të krijojë gardhin e mbrojtjes përmes gjithë farë zullumtarësh, atëherë gjithçka do të jetë e dyshimtë dhe do i shpjerë njerëzit drejt besimit ndaj Autoritetit të Dosjeve.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit