Arben Ristani anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike me anë të një deklaratë për mediat nga selia blu ka denoncuar atë që opozita e konsideron mega aferën e Portit të ri të Durrësit.
DEKLARATA:
Edi Rama i është rikthyer megaaferës së projektit të Portit të Durrësit, duke dëshmuar se askush nuk mund t’ia ndalë dorën në vesin e vjedhjes.
Megafera e portit të Durrësit ka kaluar në tri faza:
Në fillim u paraqit si një investim strategjik i kompanisë së famshme Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Emmar”.
Më pas, u fol për një tërheqje të Emaar-it dhe, në fund, u prezantua një kompani tjetër, kësaj radhe offshore, e arabit Muhamed el Alabbar.
E vetmja gjë, strategjike e këtij investimi, është strategjia e zhvatjes së pasurive publike dhe vjedhjes, me kuç e me maç, të pronave të patundshme të Republikës së Shqipërisë.
Porti i Durrësit është një projekt jashtë çdo procedure dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar.
Fakti është, se rreth 1 milion metra katror i jepen një investitori që pritet të investojë 2 miliard dollarë, kur vetëm vlera e tokës, është pothuaj dyfishi.
Fakti tjetër është se planifikohet zhvendosja e portit më të madh të vendit, një lëvizje me implikime jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.
Fakti i pashmangshëm është, se një vend në negociata anëtarësimi si Shqipëria, duhet t’i kodifikojë vendimet me strukturat e BE.
Ne i bëjmë thirrje kompanisë, cilado qoftë ajo, online apo offshore, që të tërhiqet nga ky projekt abuziv dhe korruptiv.
Qeveritë e një vendi janë të përkohshme, ndërsa interesat strategjike, prona publike, interesi kombëtar janë të përjetshëm.
U bëjmë gjithashtu thirrje qytetarëve që të mos blejnë asnjë centimetër në këtë hapësirë.
Kjo është një aferë personale e Ramës dhe klanit të tij. Një skotë që prej 9 vitesh i trajton pasuritë publike, nga Tirana në Breg dhe nga Butrinti në Durrës, si kopshtin privat të familjes.
Porti i Durrësit është pasuri publike, aset kombëtar, pronë e shteti shqiptar dhe e qytetarëve të Durrësit, jo e kardashianëve të pushtetit.