Rritja e interesave, si mund t’i ndryshojë investimet e shqiptarëve?
Në vitet e fundit, normat e ulëta të interesit kanë qenë ndër faktorët që kanë nxitur rritje të investimeve në tregun e pronave dhe një cikël të ri të rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme. Tashmë, kthimi i një cikli rritës të normave të interesit mund t’i bëjë më tërheqëse investimet financiare.
Ersuin Shehu
Tregjet financiare në të gjithë botën, që nga fundi i vitit të kaluar, po përballen me ndryshimin e shpejtë të normave të interesit. Pas një periudhe të gjatë të normave të ulëta të interesit, deri në nivelet minimale historike, ato iu rikthyen një rritje të shpejtë, të përcaktuar kryesisht nga gjallërimi pas shumë vitesh i presioneve inflacioniste.
Fillimisht, ky fenomen u shkaktua nga vështirësitë në zinxhirin e furnizimit dhe pamundësisë së ofertës për t’iu përgjigjur rimëkëmbjes së shpejtë të kërkesës, pas daljes nga pandemia.
Në shkurt të këtij viti, sulmi i Rusisë mbi Ukrainën i theksoi edhe më shumë trysnitë inflacioniste dhe pasiguritë për ekonominë botërore dhe sidomos për atë europiane, më të ekspozuar ndaj efekteve të luftës.
Kjo tablo ka sjellë rritje edhe më të shpejtë të normave të interesit. Shumica e bankave qendrore kanë rritur normat e referencës dhe kjo është reflektuar në normat e interesit të produkteve financiare, sidomos në yield-et e instrumenteve të borxhit.
As Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo tendencë. Banka e Shqipërisë rriti tre herë normën bazë të interesit në pesë muajt e fundit, duke e çuar nga 0.5%, në 1.75%.
Kjo lëvizje është pasqyruar shpejt në tregun primar të titujve të qeverisë shqiptare, me rritje të shpejtë të yield-eve për të gjitha instrumentet. Përcjellja në normat e interesit të depozitave dhe kredive bankare është ende në një fazë fillestare, por pritet të bëhet gradualisht e prekshme, nëse nuk do të ketë frenime të papritura në kahun shtrëngues të politikës monetare.
Rritja e normave të interesit sjell ndryshime të ndjeshme edhe në tiparet e alternativave të investimit që ofron tregu për investitorët e vegjël dhe kryesisht, për individët. Epoka e gjatë e normave minimale të interesit tentoi të nxisë konsumin dhe investimet nëpërmjet çmimit të lirë të parasë, duke dhënë nga ana tjetër, më pak stimuj për të kursyer.
Në ekonomitë më të zhvilluara, periudhat e uljes së normave të interesit nxisin investimet në tregjet e kapitalit dhe përgjithësisht ndikojnë në rritjen e vlerës së aksioneve dhe instrumenteve të tjera të këtyre tregjeve.
Duke qenë se Shqipëria nuk ka një bursë aktive dhe mundësitë e investimit në tregjet ndërkombëtare janë të kufizuara, për arsye të ndryshme, cikli i normave të ulëta të interesit i tillë ka ndikuar në zgjerimin e investimit në prona apo asete të tjera fikse, për shkak të kredisë së lirë, por edhe leverdisë më të pakët për t’i mbajtur kursimet të investuara në instrumente financiarë tradicionalë.
Tendenca ka qenë më se e prekshme në vitet e fundit, edhe me rritjen e ofertës për kredi bankare. Ky është një nga faktorët që ka nxitur cikël të ri të rritjes së tregut të pasurive të paluajtshme në vend.
Rritja e normave të interesit përcjell në ekonomi stimuj të ndryshëm: rritja e çmimit të parasë do ta bëjë më të shtrenjtë huamarrjen, duke frenuar stimulin monetar për investim dhe konsum. Nga ana tjetër, rritja e normave të interesit të produkteve dhe instrumenteve financiare e bën gradualisht më të leverdishëm kursimin dhe rrit kthimet nga investimet financiare.
Depozitat dominojnë edhe me interesa minimale
Depozitat bankare vazhdojnë të jenë produkti mbizotërues ku mbahen kursimet e individëve dhe as epoka e gjatë e normave minimale të interesit nuk e lëkundi shumë këtë prirje. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), depozitat përbëjnë rreth 84% të vlerës totale të investimeve financiare të individëve shqiptarë, me vlerë totale prej 1.15 trilionë lekësh.
Produkti i dytë më i parapëlqyer janë Bonot dhe Obligacionet e qeverisë shqiptare, që përbëjnë rreth 9% të investimeve financiare të individëve, për një shumë totale prej më shumë se 122 miliardë lekësh.
Vijojnë kuotat në fondet e investimit, me 78 miliardë lekë, ose 6% të totalit dhe obligacionet me ofertë private, me një total prej 10 miliardë lekësh, ose afërsisht 1% të totalit të investimeve të individëve.