Indicia që çoi policinë në bastisjen e servisit të babait të Florenc Çapjes në Elbasan dyshohet se ka qenë dëshmia e Nuredin Dumanit, vrasësit të penduar që rrëfeu shokët.
Në dëshminë e tij dhënë përpara SPAK-ut, Dumani fliste për një makinë të vjedhur me të cilën Çapjet po përgatisinin planin për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, dhëndrin e ish-kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.
Sot policia njoftoi se nga kontrolli në servisin e Fejzullah Çapjes, që është në kërkim gjeti një makinë tip “Alfa Romeo” të vjedhur dy targa po ashtu, gjithashtu fishekë luftarakë dhe një kapele si e policisë.
Makina rezulton e vjedhur më prill 2019 dhe në dëshminë e Nuredin Dumanit është folur për një makinë të vjedhur që i është vënë në dispozicion grupit që do të merrte pjesë në vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.
Dumani tha se Çapjet i kishin bërë ofertë për të kryer një atentat ndaj Sokol Sanxhaktarit kundrejt një pagese prej 200 mijë euro, të cilin ai tha se nuk e bëri pasi shkëputi lidhjet dhe kaloi me grupin tjetër të drejtuar nga Erion Alibej.