Sytë dhe veshët sot ishin në Bruksel, por nuk kishte marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Kryeministri Albin Kurti u takua me presidentin serb Vuçiç në prani të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Borrel dhe të dërguarit për Ballkanin, Lajçak, teksa në Bruksel ishte edhe Gabriel Escobar, emisari special i SHBA-së.
Gjatë kohës që në Bruksel zhvillohej takimi, mediat në Beograd kanë bërë dy njoftime që tregojnë shumë për lëvizjet e Presidentit Vuçiç. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nga Brukseli ka caktuar një takim me serbët e Kosovës këtë të diel.
Takimi do të mbahet në orën 11:00 në Pallatin “Serbia” në Beograd. Në takim janë të ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova, udhëheqësit e Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë të komunave, drejtorët e spitaleve e të tjerë.
Pak ditë më pas në 22 gusht, ministri i Brendshëm serb, Vulin i njohur si krahu djathtë i Vuçiç do të udhëtojë drejt Moskës për t’u takuar me ministrin e Jashtëm Lavrov.
Lëvizjet intensive të Beogradit vijojnë pak ditë përpara 1 shtatorit kur Albin Kurti ka njoftuar vendosjen e reciprocitetit për letërnjoftimet dhe targat, që shkaktoi trazira në 1 gusht dhe u shty për 30 ditë.
E ndërsa Beogradi kërcënoi Kosovën me luftë me deklarata direkte dhe indirekte, NATO dje ishte e qartë, kur Stoltenberg ia bëri të qartë Vuçiç se nëse bën një hap përpara në Kosovë, KFOR do të përgjigjet.