Hakim Xhezo mbeti i vrarë ditën e sotme në një atentat në Panaja të Vlorës. Xhezo një emër i njohur për drejtësinë, po udhëtonte së bashku me Shpati Lenën nga Vlora për në Fier, ku u qëlluan me kallashnikov nga një makinë tjetër në lëvizje.
Dy nga pistat kryesore që policia po heton për ngjarjen janë ato të prishjes së pazareve të drogës si dhe e hakmarrjes, pasi i vëllai Eduard Xhezo i mori jetën biznesmenit Arben Beqiraj. Nga ana tjetër vetë viktima ka qenë i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, në 2020 ai u kap në kryqëzimin e Transballkanikes me një sasi të konsiderueshme kanabis sativa.
Vëllezërit objekt i OFL-së
Në 2 korrik të 2020, OFL zbarkoi në Vlorë dhe kërkoi nga të dy vëllezërit vetdeklarimin e pasurisë, pas problemeve të tyre me ligjin.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
E. Xh., banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
H. Xh., banues në Vlorë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.