Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ndaluar dy persona lidhur me rastin e zhdukjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi. Sipas Prokurorisë, ata dyshohen për veprën penale “rrëmbimi”, derisa është njoftuar edhe se janë sekuestruar disa prova materiale.
“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë ndaluar dy (2) persona lidhur me rastin e zhdukjes së personit me inicialet B.R. Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se dy (2) personat janë ndaluar për veprën penale “Rrëmbimi” nga neni 191 të KPRK-së.
Po ashtu, me rastin e arrestimit të këtyre dy personave janë sekuestruar edhe disa prova materiale të cilat do të shërbejnë për procedurë të mëtutjeshme penale”, thuhet në njoftim. Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.
Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij. Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit deklaruan për Express se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.