Anisa Kostani, policja e Elbasanit që u pezullua sot nga drejtori i policisë së shtetit Gledis Nano ka reaguar pas vendimit. Përgjigja nuk ka qenë direkte.

Në një video që ka publikuar në Instagram, Kostani bën xhiro në qytet me makinë me këngën e reperit Unikkatil në sfond me titull “U qova pi vorri”.
“Un jom ma i mallkumi ma i paparashikumi, ai shqipja i pergjakshem qe mun e nal veq plumi” është teksti i këngës, që pervç Nanos shkonte edhe për median që e “kryqëzoi” pas postimit të saj aspak etik.
Ngjashmëria është si dy pika uji me ish-gjyqtaren Enkeleda Kapedani, që sfilonte në Tik Tok nën ritmet e këngës “unë jam mafia”.
Por pas 30 minutash postimi u zhduk nga faqja.
Por çfarë tha policja që u pezullua?
Anisa Kostani, policja e Elbasanit që u bë e njohur për shkak se mbante si kafshë shtëpiake një gjarpër sulmoi gazetarët lidhur me ngjarjen e dy netëve më parë ku u vra Madrit Ulqinaku.
Policia shpalli në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes, 18 vjeçarin Horgito Peqinin, ndërsa për policen ky detaj nuk duhet marrë parasysh.
Policja e famshme shkoi deri aty madje sa cenoi edhe nderin e gazetareve vajza që raportojnë për kronikën duke hedhur dyshime mbi mënyrën se si e kanë marrë diplomën.
Sipas saj, ata që shkruajnë keq për Policinë e Elbasanit e kanë marrë provimin prej “profesorave Don Zhuanë”.
Reagimi i Policisë së Shtetit
Me keqardhje ndoqëm reagimin aspak etik dhe profesional të një oficereje të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka fyer gazetarët, me pretendimin se gazetarët po përbaltin punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Përsa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra oficeren e Policisë, Nënkomisare Anisa Kostani dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të nisur hetimin disiplinor ndaj kësaj oficereje, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 750 datë 16.09.2015, konkretisht të nenit 209, pika 1 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të policisë pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.
Sqarojmë opinionin publik se mendimet dhe opinionet personale të punonjësve të Policisë nuk përfaqësojnë në asnjë rrethanë, mendimet dhe opinionet e organizatës së Policisë së Shtetit, e cila ka një sektor të posaçëm, përmes të cilit komunikon zyrtarisht me median dhe publikun.
Policia e Shtetit është e bindur dhe e vendosur për të krijuar një marrëdhënie partneriteti dhe oponence me median, bazuar në respektin reciprok dhe në të vërtetën.
Policia e Shtetit falënderon gazetarët për punën e tyre në drejtim të informimit të publikut në lidhje me veprimtarinë e organizatës së Policisë së Shtetit dhe kërkon mirëkuptimin e tyre që raste sporadike të mos cënojnë marrëdhëniet korrekte mes gazetarëve dhe Policisë së Shtetit.