-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Vettingu: Provat për shkarkimin e shefes së prokurorisë së Tiranës

Kryesoret

Vendimi i arsyetuar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkarkimin e ish-kryeprokurores së Tiranës, Elizabeta Imeraj, tregon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit hetoi përciptas dhe arsyetoi pa u bazuar në ligj e fakte mbi një sërë gjetjesh, që sipas Kolegjit provonin pamjaftueshmëri të pasurisë dhe cënim të besimit të publikut te drejtësia.

KPA rrëzoi fillimisht si “pa rëndësi në procesin e rivlerësimit” një kontratë paramartesore në të cilën pretendohej regjim me pasuri të ndara mes saj dhe ish-bashkëshortit. Kontrata u përdor gjerë e gjatë në arsyetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili konfirmoi Imerajm në detyrë në prill 2021, për të justifikuar mungesën e burimeve të ligjshme në krijimin e pasurive.

Veç kësaj kontrate, trupa e KPA e kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi gjeti hetim të përciptë të Komisionit sa i përket vlerësimit në kriterin e figurës. KPA arsyetoi se dënimi i ish-kunatit të Imerajt në Itali për vepra penale “të cilat përfshihen në rrethin e veprave të krimit të organizuar” dhe qëndrimi i saj ndaj këtij fakti e penalizonte atë.

Në lidhje me profesionalizmin, KPA vlerësoi se Imeraj nuk kishte kryer veprimet e duhura hetimore në dy çështje të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Përfshi një hetim mbi trafikun e 227,6 kg kokainë, për të cilin sipas Kolegjit nuk ishin kryer hetime dhe as ishte marrë dëshmia e një të huaji, i vetmi person i arrestuar për rastin.

Ndryshe nga trupa e Komisionit, KPA gjeti se përtej problemeve në kriteret e rivlerësimit, Imeraj  mbajti qëndrime “katërcipërisht kontradiktore” dhe tregoi mungesë sinqeriteti.

“Në këtë konkluzion, trupi gjykues çmon të theksojë që mungesa e sinqeritetit të subjektit të rivlerësimit në përballjen me këto të dhëna, shfaqet qartë edhe nëse konsiderohet si moment i parë marrje dijenie tetori 2020, nëpërmjet gjetjes së vëzhguesit ndërkombëtar…”, thuhet në vendim.

Pretendimet e Imerajt dhe avokatit të saj gjatë procesit u rrëzuan nga Kolegji si të pabazuara në ligj apo si të parëndësishme për procesin.

Në një dalje për mediat menjëherë pas njoftimit të vendimit të KPA, Imeraj e cilësoi vendimin të padrejtë dhe pretendoi se ishte cënuar procesi i rregullt ligjor. Ajo këmbënguli se vendimi ishte i ndikuar nga vëzhguesit ndërkombëtar, që u angazhuan me rekomandim pas vendimit të Komisionit.

“Është një vendim ‘copy paste’ i rekomandimit të ONM pa marrë parasysh asnjë lloj pretendimi të paraqitur nga ana ime që nga mesi i vitit 2018 dhe deri në seancën e fundit dëgjimore në KPA në 20 prill 2022,” tha Imeraj për gazetarët.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj u shortua për rivlerësim në vitin 2018, por doli para Komisionit vetëm në fillim të vitit 2021. Çështja ndaj ish-prokurores kaloi në një sërë peripecish në shkallën e parë të vetingut, ndërsa dy prej relatorëve të çështjes dhanë dorëheqjen. Gjatë seancës dëgjimore në KPK, Imeraj pati edhe një debat të ashpër me vëzhguesin e ONM-së, Theo Jacobs, i cili ndër të tjera e akuzoi edhe për përpjekje për të ndikuar procesin.

Në prill të vitit që shkoi, Imeraj u konfirmua në detyrë nga KPK. Pas zbardhjes së vendimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi apelim të vendimit të Komisionit.  Komisioneri Publik ankimoi vendimin bazuar në rekomandim dhe kërkoi në Kolegj shkarkimin e Imerajt. Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësia e Bashkimit Europian, e cilësuan procesin ndaj Imerajt si një test për të gjithë procesin e vetingut.

Mbi kontratën paramartesore

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi si të mjaftueshme paraqitjen e një kontrate paramartesore nga Imeraj, sipas të cilës ajo nuk kishte as ndikim dhe as përfitim nga pasuritë e vëna prej ish-bashkëshortit, duke arsyetuar prej kësaj se ajo nuk kishte pasuri të paluajtshme.

Qëndrimi i KPK u ankimua nga Komisioneri Publik, që i kërkoi Kolegjit të rihetonte pasurinë duke theksuar se përtej kontratës, Imeraj kishte deklaruar bashkëpronësi në pasuritë nga të cilat më pas pretendonte se nuk kishte përfitim.

Në një kundërankim dhe në qëndrimin e saj në Kolegj, Imeraj këmbënguli se ajo nuk kishte pasur të bënte me pasuritë e bashkëshortit. Imeraj ritheksoi se kontrata paramartesore e ndante atë nga pasuritë e ish-bashkëshortit.

“Pasuritë objekt ankimi janë krijuar përpara martesës dhe se pavarësisht pasaktësive, deklarimet e interesave privatë nuk mund të ndryshojnë origjinën, kohën dhe të drejtën e pronësisë së personave mbi këto pasuri,” pretendoi Imeraj.

Por Kolegji vuri në dukje se pretendimi në fjalë nuk qëndronte. Sipas KPA-së, kontrata e regjimit të ndarë të pasurisë nuk ishte deklaruar nga Imeraj as në deklarimet vjetore të pasurisë, as në deklarimin “veting” dhe as pas pyetësorëve të dërguar nga KPK gjatë procesit të rivlerësimit.

Kolegji thotë se Imeraj nuk pretendoi këtë fakt as pasi u njoh me rezultatet paraprake të hetimit në tetor 2019, në të cilat KPK pretendonte se ajo ishte në kushtet e pasjes së “dyfishit të pasurisë së ligjshme”.

“As edhe në atë moment procedural, nuk ka rezultuar referencë apo trajtim i çfarëdo forme të këtij elementi dhe as vetë subjekti nuk ka pretenduar ekzistencën e këtij dokumenti,” shprehet Kolegji.

Më tej, KPA arsyeton se pretendimi për pasuri të ndara iu vu në dukje Komisionit vetëm në shtator 2020, pasi KPK vendosi të riçelë hetimin për Imerajn. Në këtë moment të procesit ish-prokurorja i ka shkruar Komisionit se “këtë detaj e ka vënë edhe më parë në dispozicion” të Komisionit”.

Por Kolegji shprehet se në gjykimin në Apel, e pyetur për mosdeklarimin e kësaj kontrate, prokurorja ndryshoi qëndrim, duke fajësuar harresën dhe mosdhënien rëndësi të këtij fakti. “Do ta kishte harruar nëse nuk do ta kishte pyetur Komisioni apo vëzhguesi,” citohet Imeraj në vendim.

Kolegji arsyetoi ndër të tjera se Imeraj kishte pasur detyrim ligjor ta deklaronte këtë ndarje të pasurisë në deklarimet vjetore dhe në deklarimin veting. Sipas KPA, ky mosdeklarim dhe “deklarimet katërçipërisht kontradiktore” të subjektit të rivlerësimit në procesin e hetimit, e bënin kontratën të parëndësishme në proces.

KPA po ashtu theksoi se kontrata nuk pasqyrohej në regjistrat publikë dhe se deri në atë moment, subjekti i kishte deklaruar pasuritë në deklaratat vjetore si të ishin në bashkëpronësi dhe kishte shfaqur “sjelljen si bashkëpronare”. Përtej këtij arsyetimi, Kolegji po ashtu shtoi se ish-bashkëshorti ishte person i lidhur dhe se Imeraj duhej të jepte llogari edhe për të.

Pamjaftueshmëria e burimeve

Rrëzimi si element pa rëndësi në proces i kontratës paramartesore solli edhe rrëzimin e pjesës më të madhe të argumenteve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në konfirmimin e Imerajt në shkallën e parë.

Pas kësaj, Kolegji e gjeti subjektin dhe ish-bashkëshortin në pamundësi financiare dhe deklarim të pamjaftueshëm për një sërë pasurish.

KPA vuri në dukje se Imeraj nuk mund të përjashtohej nga detyrimi për justifikimin e burimit të ligjshëm të një sipërfaqeje prej 400 metrash tokë arë, e cila sëbashku me dy sipërfaqe të tjera ishte përdorur në një shkëmbim për përfitimin e 2500 metrave truall në Tiranë.

KPA arsyetoi se Komisioni, i cili kishte justifikuar qëndrimin e subjektit mbi këtë pasuri bazuar në deklarime noteriale dhe në kontratën e ndarjes së pasurisë, kishte vendosur i pabazuar në ligj.

“Komisioni nuk rezulton të ketë arsyetuar se përse aktet zyrtare, sikurse kartela e pasurisë në emër të subjektit, deklarimi periodik vjetor nën përgjegjësi dhe i nënshkruar nga subjekti në vitin 2007 dhe deklarata vetting në vitin 2017, nënshkruar nga subjekti dhe ish-bashkëshorti nuk kishin vlerë provuese, përkundër një deklarate të thjeshtë për premtim shitjeje apo pretendimeve të parashtruara nga subjekti vetëm në hetimin e riçelur në janar të vitit 2020,” thuhet në vendim.

Njësoj KPA gjeti të pabazuar pretendimin e subjektit se ish-bashkëshorti kishte përfituar 80 mijë euro nga shërbimet e avokatisë ndaj një klienti. Kolegji thotë se këto shërbime nuk ishin faturuar dhe se nuk kishte provë që ato kishin ekzistuar.

Tokat arë dhe shuma në fjalë pretendohej prej subjektit se ishin përdorur nga ish-bashkëshorti për të përfituar 2500 metra truall në Tiranë. Por Kolegji thotë se mungesa e provave për 80 mijë eurot e bënte problematik transaksionin.

“Rezulton se si pasojë e shkëmbimit, subjekti dhe personi i lidhur kanë përfituar tokë truall, në këmbim të tokës arë, me sipërfaqe më të madhe, me vendndodhje afër qendrës, me potencial të ndryshëm zhvillimi ekonomik dhe social dhe me vlerë 210 herë më të lartë krahasuar me tokën arë”, thuhet në vendim.

KPA llogariti se toka e shkëmbyer kishte një vlerë bazuar në çmimet zyrtare prej 341 mijë lekësh, ndërsa toka që u përfitua dhe mbi të cilën u nënshkrua kontratë sipërmarrje për ndërtim përllogaritej në vlerën 71 milionë lekë.  Kolegji e gjeti subjektin me deklarim të pamjaftueshëm për këtë pasuri.

Kolegji rrëzoi pretendimet e Imerajt se ajo nuk kishte pasur rol në këtë transaksion, duke paraqitur si provë deklarimet e saj të pasurisë së vitit 2012, deklarimin e bashkëshortit në deklaratën veting dhe kontratën e nënshkruar. KPA nuk pranoi si justifikim një kallëzim penal të bërë nga Imeraj në shkurt 2022 ndaj Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe as pretendimet e noteres se kishte bërë lapsus.

Kolegji gjeti me probleme edhe transaksionet e kryera në blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 66 metra dhe shtesë 70 metra, çmimi i të cilës ishte deklaruar sipas KPA-së në disa versione që fillonin me 40 mijë euro dhe shkonte deri në 150 mijë euro sipas dosjes së kredisë.  KPA vuri në dukje se Imeraj i kishte deklaruar pasuritë në fjalë në bashkëpronësi në vitin 2008 dhe 2015, por në proces pretendoi të ishte vetëm dorëzanëse në kredimarrje.

Kolegji thotë se qëndrimet e ndryshme të Imerajt e bënë të paverifikueshme këtë pasuri. “Si pasojë e deklarimeve kontradiktore të subjektit…, është krijuar pamundësi objektive për institucionet e rivlerësimit për të identifikuar cilat janë faktet që pasqyrojnë situatën e vërtetë të pasurisë në fjalë,” thuhet në vendim.

Kolegji gjeti po ashtu probleme dhe mungesë burimesh edhe sa i përket një kredie të marrë nga Imeraj në vitin 2006 dhe po ashtu probleme u gjetën edhe në ndërtimin e godinës 5 katëshe në  të cilën subjekti jetonte me ish-bashkëshortin dhe të afërmit e këtij të fundit. Sipas KPA, “subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur gjenden në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme”, për krijimin e kësaj pasurie.

Figura dhe profesionalizmi

Kjo pasuri e fundit dhe mënyra se si ishte deklaruar krijimi i saj në vite edhe kontribuuesit në të, rezultuan sipas vendimit të KPA, të ishin të rëndësishme edhe në kriterin e figurës.

Problemet e përshtatshmërisë së Imerajt, e cila kishte marrë një vërtetim pozitiv për figurën prej Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, u vunë në dukje fillimisht pas një gjetje të ONM. Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs pyeti Imerajn në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në mars 2021, në lidhje me një dënim të ish-bashkëshortit dhe ish-kunatit të saj në Itali. Imeraj e mohoi këtë pretendim dhe këmbënguli se e dhëna vinte nga një denoncim i rremë, të cilin ajo e ironizoi.

Sipas saj, personat në fjalë [me ditëlindjet përkatëse, sipas fashikujve të procedimit penal në Itali] nuk ishin ish-bashkëshorti dhe ish-kunati i saj, pasi kanë të dhëna të ndryshme të identitetit.

Por KPA thotë se provat e sjella dhe vendimet e gjykatës italiane tregonin se personat në fjalë ishin ish-bashkëshorti dhe ish-kunati.  “Nga të gjitha këto dokumente, rezulton që dy individët e referuar në procedimin penal, janë ish-bashkëshorti dhe ish-kunati i subjektit të rivlerësimit”, thuhet në vendim.

KPA thotë se dokumentet gjyqësore tregonin se ish-bashkëshorti kishte fituar pafajësi në Gjykatën e Apelit në Romë, ndërsa ish-kunati ishte dënuar përfundimisht me 4 vjet burg dhe një gjobë 10 mijë euro. Kolegji vë në dukje se ndryshe nga sa kishte thënë në Komision, qëndrimi i Imerajt evoluoi në Kolegj, duke treguar “sjellje të papërshtatshme për një magjistrat”.

“Mohimi i fakteve të dokumentuara që evoluoi në pretendim për mungesë dijenie, dëshmon përpjekje për të shmangur përgjegjësinë dhe mungesë vullneti për të qartësuar rrethanat me përpikëri,” arsyeton trupa e Kolegjit.

KPA thotë në vendim se në dijeni të fakteve, Imeraj u përpoq të ndryshonte edhe qëndrimet sa i përket kontributit financiar të ish-kunatit në ndërtimin e godinës 5 katëshe apo faktin që Imeraj sipas ONM-së ishte dorëzanëse në një kredi që u përdor për të shlyer edhe një hua të ish-kunatit.

Ndryshe nga Komisioni dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë që kishin vlerësuar pozitivisht Imerajn në kriterin e profesionalizmit, Kolegji bazuar në dy gjetje të ONM-së gjeti shkelje të saj në kryerjen e detyrës. Kolegji vuri në dukje se hetimet e Imerajt ndaj dy të dyshuarve për trafik të një sasie hashashi, rezultuan me “mangësi serioze”.

KPA vë në dukje se “si rezultat i veprimeve të subjektit të rivlerësimit [dhe prokurorit tjetër], në harkun kohor nga maji deri në korrik” të vitit 2017 një procedim penal ndaj një personi për të cilin kishte përgjime telefonike dhe ambientale që tregonin “minimalisht rol kyç në përpjekjet për trafikimin e 780 kg cannabis, evoluoi nga dyshim i bazuar në prova për trafikim narkotikësh në bashkëpunim, në moskallëzim krimi”.

KPA po ashtu gjeti mosveprime dhe mungesë hetimi edhe sa i përket një rasti të trafikut të 227.6 kilogramëve kokainë. Sipas të dhënave në vendim, për këtë rast u hetua dhe u dënua një person i huaj, i cili kishte ardhur në Shqipëri vetëm për të marrë pagesën për sasinë e dorëzuar të kokainës. KPA thotë se pagesa varionte nga 600 mijë në 1 milion euro.

Por ndërsa i huaji në fjalë u dënua, vendimi i gjykatës për rastin zbuloi sipas Kolegjit mangësi të hetimit, mungesë të veprimeve për të identifikuar bashkëpunëtorët e personit të arrestuar dhe as organizatorët e trafikimit të sasisë së madhe të narkotikut.

Sipas KPA, as i pandehuri i vetëm në këtë çështje nuk u pyet. “Në këto rrethana, pasiviteti për të hetuar për destinacionin e kokainës dhe identitetin e pritësve, ashtu si edhe pasiviteti për të pyetur të pandehurin apo dëgjuar dëshmitarët e thirrur nga gjykata, kanë passjellë dëmtimin e hetimit në mënyrë të pakorrigjueshme”, thuhet në vendim.

Mbrojtja e Imerajt në lidhje me profesionalizmin dhe pretendimi i saj për konfirmimin e dy prokurorëve të tjerë që kishin lidhje me njërën nga çështjet në fjalë, u cilësuan nga Kolegji se nuk ishin objekte të shqyrtimit.

Kolegji vlerësoi gjithashtu se Imeraj kishte bërë shkelje të etikës kur i ishte drejtuar me një e-mail drejtpërdrejt ish-vëzhguesit ndërkombëtar, Hans Kljistra. Sipas Kolegjit, pretendimet e subjektit se e-maili i vëzhguesit Kijlstra “ka qenë një zgjedhje personale e saj, pa asnjë tendencë”, nuk qëndronte dhe se e-maili në fjalë ishte komunikim i papërshtatshëm. KPA megjithatë nuk gjeti shkelje sa i përket dorëheqjes së komisioneres Etleda Çiftja nga dosja në fjalë.

KPA po ashtu nuk u investua në hetimin e gjetjeve të ONM-së bazuar në dëshminë e Kljistrës se ishte ndjekur dhe disa dyshime të tjera, të cilat ish-prokurorja i mohoi. KPA arsyetoi se këto gjetje dhe po ashtu edhe materialet e sjella nga Imeraj mbi kallëzimet penale të bëra prej saj në Durrës dhe Tiranë për të sqaruar këto momente, nuk ishin të nevojshme në zgjidhjen e çështjes.

Në vendim, KPA po ashtu rrëzoi pretendimet e avokatit të Imerajt nga Strasburgu, Gregory Thuan Diet Dideonne, mbi praninë e vëzhguesit ndërkombëtar në dhomën e këshillimit dhe ndikimin e tij në vendim.

Kolegji arsyetoi se vëzhguesi ndërkombëtar ishte thjesht monitorues. KPA po ashtu tha se vëzhguesi kishte qenë i pranishëm edhe në Komision, por KPK nuk ishte ndikuar nga prania e tij. Kolegji vuri në dukje se në këtë rast nuk kishte cënim të të drejtave të subjektit dhe se në fakt vendimi tregonte se “përfundimet për çdo shkak ankimi, bazohen mbi këtë analizë të hollësishme të kryer nga Kolegji”.

KPA po ashtu arsyetoi se pretendimet e mbrojtësit dhe referimet e tij në precedentë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut nuk qëndronin. Kolegji vuri në dukje se nuk po shqyrtonte faktet e “pakontestueshme” të dërgimit të e-mailit vëzhguesit ndërkombëtar apo dënimit të ish-kunatit, por sjelljen e subjektit vënë para  këtyre fakteve.

Në përfundim, Kolegji e gjeti Imerajn me deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit të publikut te drejtësia./ BIRN

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit