Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka marrë sot një tjetër goditje në procesin që nisi në themel sepse kërkesa e tij për transmetim LIVE të seancës është hedhur poshtë.
“Unë vijoj të ushtroj detyrën si kryetar i bashkisë dhe është në interes të publikut transmetimi live” tha ai. Prokurori Altin Dumani u përgjigj duke theksuar se “Ne si organ akuzues nuk na shqetëson, por e shqetëson procesin. Seancat janë publikuar por nuk transmetohet live.
Në çështje penale ku ka dëshmitarë dhe më tepër dëshmitar drejtësie nuk lejohet transmetimi live. Dhe në SHBA nuk lejohet transmetimi live në sistemin federal. Në këtë gjykatë do të dëshmojnë persona për këtë proces” tha ai.
Megjithatë, për ditën e sotme nuk është lejuar prania e kamerave në sallë, pasi një nga të pandehurit, Elman Abule, miku i Veliajt nuk ka dhënë pëlqimin për t’u filmuar.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka renditur 13 episode kundër tij për korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.









