Alban Bruçi është i riu që shpëtoi pa asnjë gërvishtje nga 19 plumbat e kalashnikovit që u zbrazën mbi të.
Bruçi ishte në afërsi të banesë së tij në lagjen Rus, ku dy persona me motor qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt makinës, ku ndodhej ai.
25-vjeçari arriti të shpëtonte në kohë dhe mos të kishte fatin e “shënjestrave” të tjera. Edhe pse ai u qëllua me kallashnikov, që është e pamundur të shpëtohet, policia dyshon se qitësit nuk ishin profesionist.
Po ashtu Bruçi arriti të largohej disa metra me makinë dhe më pas të shkonte direkt në polici për të dëshmuar. Ai deklaroi se nuk i njihte atentatorët.
Policia dyshon se ngjarja është një larje hesapesh për një plagosje që ai ka bërë në 2016, në teatrin Migjeni.
Bruçi në vitin 2016 ka plagosur një person dhe asokohe është arrestuar si i dyshuar për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Policia dyshon se atentati ka ardhur për shkak të disa konflikteve që mund të ketë patur ky shtetas kohët e fundit edhe pse i riu ka mohuar një gjë të tillë.