Pas shumë ditësh diskutime e negociata, me ‘bekimin’ e BE-së, është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e mjeteve identifikuese, ku tashmë qytetarët do të udhëtojnë lirshëm duke përdorur dokumentet e tyre.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, për Politikën e Jashtme Josep Borrell njoftoi se sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe.
Ministrja e Jashtme Olta Xhacka ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e mjeteve identifikuese.
Ajo e konsideron një lajm të mirë jo vetëm për dy shtetet, por për të gjithë rajonin teksa ka falënderuar dhe BE-në lehtësimin e dialogut.
“Një lajm shumë i mirë për rajonin. Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje nga e cila përfitojnë si shqiptarët ashtu edhe serbët.
Dialogu është gjithmonë rruga. Urime të dy liderëve dhe mirënjohje BE për lehtësimin e dialogut”, shkruan Ministrja në Twitter.