Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se marrëveshja e arritur për dokumentet për hyrje-dalje midis Kosovës dhe Serbisë, siguron paqe dhe stabilitet.
“Falë përpjekjeve të fuqishme diplomatike të presidentit Aleksandar Vuçiq, sot arritëm të marrim garancitë e nevojshme nga BE-ja dhe në këtë mënyrë të arrijmë marrëveshje për lirinë e lëvizjes dhe dokumentet serbe. Me të, ne arritëm të sigurojmë paqe dhe stabilitet në Kosovë e Mehtohi dhe të ruajmë letërnjoftimet serbe për serbët në krahinën jugore, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit. Prandaj mund të them se kemi lajme të rëndësishme”, tha ai përmes një deklarate me shkrime.
Sipas tij, me këtë marrje është ruajtur prania e shtetit të Serbisë në Kosovë.
“Kjo do të thotë se çdo qytetar i Serbisë që jeton në Kosovë dhe Metohi do të mund të lëvizë lirshëm me letërnjoftim serb. Çdo serb në jug dhe veri të Ibrit, pa përjashtim, do të mund të jetojë, punojë normalisht me serbët e tjerë dhe të përdorë letërnjoftimet për të kaluar vendkalimet administrative”, tha ai.
Ai tha se marrëveshja që njeh dokumentet do të shoqërohet me një tekst, ku thuhet:
“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina [Kosova] bëhet vetëm për arsye praktike për të lehtësuar pozitën e qytetarëve dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur në dialog më 2011. Kjo nuk mund të interpretohet si njohje për pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kosova, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovë dhe nuk interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e OKB-së”.
Petkoviq shtoi se në të ardhmen pret sfida për Serbinë sa i përket çështjes së targave serbe.