Opozita vijon që të kërkojë shkrirjen e bordit të qeverisë që vendos çmimin e karburanteve.
PD dhe Partia e Lirisë sot kanë lëshuar akuza të forta për atë që sipas tyre po ndodh në Shqipëri me karburantin, krahasuar me vendet e tjera.
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi shkruan se Edi Rama jo vetëm qytetarët brenda vendit, por po rrjep edhe emigrantët.
“Çmim për të zhvatur emigrantët e qytetarët. Ka një arsye themelore që çmimi i naftës në Shqipëri rritet e nuk u ul asnjëherë, përkundrejt rënies së tij në bursa.
Arsyeja është sa e thjeshtë aq dhe kanibaleske.
Kjo është periudha kur sasia e mjeteve në qarkullim dyfishohet dhe kërkesa për karburant gjithashtu, sepse emigrantët e shumtë kthehen në vendlindje dhe me pushime.
Grabitqari këtë rast pret për të sulmuar prenë e vet.
Rama këtë ka pritur për të rrjepur emigrantët e qytetarët!
E shndërron sentimentin njerëzor të mallit për vendin, në mall për fitimin e vet marramendës.
Me keq se e turpshme!
Kështu biznesi i tij qeverisës, arkëton miliona euro nga xhepat e njerëzve që i kanë me djersë e gjak, por që dihet si përfundojnë.
Përfundojnë në llogaritë e qeveritarëve dhe “bosave” të PPP-ve.
Ndërkohë oligarkët e karburanteve marrin pjesën e tyre me një fitim marramendës” shkruan ai.
Nga kampi i partisë së Lirisë, përpos Petrit Vasilit ishte edhe Edmond Panariti që reagoi.
Ai deklaroi se bordi mashtron, pasi sipas tij në Amerikë nafta shitet dy herë më lirë se në Shqipëri.
“Shkoni ku të doni, nga të doni por naftës 248 lek për litër nuk i shpëtoni!
Çfarë na thotë sot më dt 28 Gusht “bordi” i transparencës së karburanteve në Amerikë dhe ç’thotë ky i joni këtu?
Amerikë… platforma njofton se ku shitet dhe blihet më lirë karburanti në Amerikë.
Duke njoftuar konsumatoret për furnizuesit me emër firme, adresë qyteti dhe shteti për në dt 28 Gusht për karburantin më të lirë. (shih më poshtë bashkëngjitur)
Çfarë të bie në sy?
Nuk ka çmim të unifikuar, sepse ka konkurrencë mes kompanive, por edhe nivel të diferencuar taksimi të karburantit sipas vendit
Pra.. Jo monopol .
Gjithësesi çmimi rreth 2 herë më i lirë
Çfarë thotë bordi te ne?
Shkoni ku të doni, si të doni dhe nga të doni por 248 lek për litër nuk i shpëtoni” tha ai.