Katër punonjës të bashkisë së Pogradecit janë arrestuar për vjedhjen e ndihmave që ishin dhuruar për qytetarët. Motoristë nga Gjermania të organizuar në një shoqatë bamirësie sollën si donacion 10 kamionë me pajisje për shkollat dhe spitalin në Pogradec, por që ranë pre e vjedhjes nga ata që duhet t’i shpërndanin.
Të arrestuarit janë;
– Reshit Fraholli 58 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec;
– Raif Muçka 58 vjeç, banues në Pogradec;
– Bektash Xhudellari 35 vjeç, banues në Hudënisht, Pogradec;
– Marsel Muçllari 35 vjeç, banues në fshatin Çervenakë, Pogradec.
Me detyrë punonjës pranë bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në ambientet e pallatit të sportit, në qytetin e Pogradecit, vodhën disa pako me ndihma.
Pakot ishin të dhuruara nga donatorë të huaj, për komunitetin e kësaj bashkie. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pakot me sendet e vjedhura dhe një automjet tip “Audi”, me të cilin do të transportoheshin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim.