Pas arritjes së pajtimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për përdorimin e dokumenteve të identitetit për kalimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, fokusi tani është te targat.
Në Bashkimin Evropian besojnë se arritja e kompromisit për dokumentet do të ndihmojë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Por, rikujtojnë diplomatët në Bruksel, mbeten edhe disa çështje të tjera që duhen zgjidhur, e për të cilat palët janë shumë larg në qëndrime.
Çështje urgjente vazhdon të konsiderohet ajo e targave të veturave. Në BE pohojnë se angazhimi aktiv do të vazhdojë, me qëllim të arritjes së një kompromisi edhe rreth kësaj teme. Kjo çështje, thonë diplomatët në Bruksel, ka potencial për të krijuar tensione në terren.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjithë shoferët në Kosovë me targa të lëshuara nga Serbia duhet t’i zëvendësojnë ato me targa RKS – Republika e Kosovës.
Që të gjithë qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë duhet të pajisjen me një dokument të veçantë, të lëshuar nga autoritetet kosovare. Serbia, me vite, ka vepruar ngjashëm me shtetasit e Kosovës që kanë hyrë në territorin e saj.
Nga 1 gushti për shkak të rebelimit të disa serbëve në veri të Kosovës dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e tyre për 1 shtator.
Tani që çështja e dokumenteve për hyrje/dalje është zgjidhur, mbetet ajo e targave që pritet të zbatohet nga fillimi i muajit të ardhshëm.