Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën të martën në Pragë për një takim jozyrtar për të diskutuar për Rusinë dhe luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në sigurinë e shteteve anëtare të BE-së.
Në takimin në kryeqytetin çek morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të OKB-së, NATO-s dhe Parlamentit Evropian.
Në diskutimet që po mbahen në kryeqytetin çek, ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes të BE-së diskutuan mbi mënyrat për të rritur prodhimin e armëve.
“Ne po i shterojmë rezervat tona,” të armëve u tha gazetarëve në Pragë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Ne po i ofrojmë Ukrainës aq shumë kapacitete ushtarake sa duhet të rimbushim rezervat tona. Ukraina ka nevojë për mbështetje. Por, ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën me më shumë iniciativa si misionet e trajnimin që do të diskutojnë ministrat”, tha zoti Borell.
Ministrat evropian do të diskutojnë se çfarë roli mund të luajë BE-ja në trajnimin e rekrutëve të rinj ukrainas në tokën evropiane.
“Ne po trajnojmë ushtarë ukrainas në Britani dhe po punojmë me Gjermaninë për një trajnim të ri mbi çminimin. Ne mendojmë se ky është hapi i duhur për të ndërmarrë tani”, tha Kajsa Ollengren, ministrja holandeze e mbrojtjes.
Ministrat e jashtëm gjithashtu do të diskutojnë nëse do të vendosin kufizime të mëtejshme vizash ndaj rusëve./VAO