Politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar duhet të japin llogari para ligjit dhe të përballen me pasoja.
Ky është qëndrimi i ambasadorit britanik në Tiranë. Alaistair King-Smith ka komentuar listën e zezë që po aplikon qeveria britanike për politikanët e korruptuar përfshirë dhe Sali Berishën.
Në një intervistë dhënë për Report Tv, ambasadori King-Smith shtoi se krahas ndalimit për të hyrë ne Britani ata nuk do të lejohen që të ruajnë paratë e tyre.
“Pra, është vërtet e rëndësishme që secili nga ne, në botën mbarë, të bëjë gjithçka mundet.
Dhënia fund pandëshkueshmërisë dhe forcimi i llogaridhënies nuk janë nevoja ekskluzive të Shqipërisë.
Kjo mund të arrihet vetëm duke punuar së bashku dhe duke mbështetur njëri-tjetrin me vepra. Pra, gjëja e parë është që në Shqipëri duhet të jepet llogari.
Është shumë e rëndësishme që ligji të sundojë. Institucionet që luftojnë krimin dhe korrupsionin janë të rëndësishme dhe duhet të jenë efektive.
Ne duhet t’i mbështesim ato. Por ne ndërmarrim veprime edhe nga ana jonë në mënyrë që dikush që është i përfshirë në krim dhe korrupsion dhe që dënohet këtu.
Në mënyrë të veçante në raste të tilla, ata nuk do të jenë të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar dhe as të ruajnë paratë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në raste të tilla do të ndërmarrim veprime të pavarura. Tani siç e dini, Sër Stuart Peach, i dërguari i posaçëm i kryeministrit tonë për Ballkanin Perëndimor, shpalli valën e parë të veprimeve që kemi ndërmarrë.
Do të vazhdojmë kështu sepse është vërtet e rëndësishme. Kjo është diçka që duhet të kthehet në rutinë, në mënyrë që njerëzit që kryejnë veprime të paligjshme dhe që nxisin krimin dhe korrupsionin të përballen me pasoja.
Është e vështirë, apo jo? Sepse, ju e dini, se neve nuk na pëlqen të ndërpresim kontaktet me askënd, por ka një kufi” tha ai. Report Tv