Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski u shpreh sot në samitin e Beogradit, që rajoni ka potencial, por jo infrastrukturë.
Ai tha se Shqipëria ka qymyr, Serbia gaz dhe Maqedonia ka firmosur paktin për gazsjellës nga Selaniku.
“Shqipëria ka qymyr guri. Serbia ka gaz, por cili është problemi, nuk ka lidhje.
Nuk kemi lidhje mes Greqisë dhe Maqedonisë që të lidhemi me terminalet e gazit të lëngshëm. Gazsjellës nga Selaniku në Maqedoni, dhe pastaj për në Serbi dhe Shqipëri.
Maqedonia ka potencial, por duhet të investojmë në projektet tona hekurudhore dhe rrugore me Shqipërinë dhe Serbinë.
Gjatë 30 viteve të fundit rrjeti nuk është ndërtuar. Po flas me kryeministrin grek që nafta krudo të vijë nga Greqia” tha ai.
Në këtë pikë e mori fjalën edhe Edi Rama. Ai tha se Serbia do të marrë qymyr nga Shqipëria në këmbim të energjisë elektrike kur ne të kemi nevojë.
“Është e vërtetë që Shqipëria gjendet në vigjile të konfirmimit ose jo të mundësisë për të vënë në shfrytëzim një sasi shumë të madhe nafte dhe gazi të zbuluar në Shpirag.
Pra në juglindje. Por kjo nuk ka të bëjë me atë që kemi diskutuar dhe cfarë mund të bëjmë bashkë me Maqedoninë. Kjo sasi e madhe gazi dhe nafte e zbuluar nga Shell është në analizë për mundësinë e komercializimit.
Duke qenë në shtresë të thellë bëhet një analizë e kostove të nxjerrjes në sipërfaqe. Ajo që kemi diskutuar është që mes Shqipërisë dhe Serbisë ka të bëjë me bashkëpunim në sektorin minerar dhe energjetik.
Ne jemi 100% energji e gjelbër. Serbia bazohet në termo dhe ka nevojë për qymyr. Kur krijohet mundësia e shkëmbimit të qymyrit me energji mund të jetë zgjidhje shumë e mirë.
Sa i përket gazit. Në Vlorë po realizojmë një projekt për ta transformuar hyrjen në atë port në një terminal të gazit të lëngshëm” tha Rama.