Qeveria ka ndarë 6.1 miliardë lekë që do të përdoren për paketën e dytë anti-krizë. Kategoritë që do të përfitojnë do të zbulohen brenda pak ditësh.
Kështu deklaroi ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj sot në komisionin e Ekonomisë.
“Ne jemi duke hartuar një paketë të re, që do të shpallet për pak ditë. Kushtet që ne bëmë paketën e parë, ishin të ndryshme nga ato që gjendemi sot.
Të parën e hartuam në fund të marsit dhe në atë moment kishte pasiguri për zgjatjen e krizës.
Ishte shpresa që lufta në Ukrainë do të përfundonte dhe morëm disa masa që ishin “ad hoc”, që parashikonin një përmirësim të kurbës së inflacionit nga pjesa e dytë e vitit.
Kjo nuk është materializuar. Dhe prandaj po mendojmë më gjatë që do të kenë ndikim në afatmesëm dhe do u drejtohen atyre kategorive në nevojë.
Punë ditësh do i anoncojmë këto masa. Kemi krijuar hapësirë të mjaftueshme në buxhet për t’i akomoduar këto masa.
Për fermerët kemi dhënë 500 mln lekë shtesë që po disbursohet, 500 mln lekë për mbledhjen e grurit dhe 200 mln lekë për peshkimin dhe po ashtu masa për transportin që çmimi i biletës të mos rritet” tha ajo.
Por deputeti socialist kërkoi datë konkrete dhe kategoritë që do të përfitojnë.
“Tek kjo paketa e re, çfarë do të jetë konkretisht kjo. Ky është kuvendi i Shqipërisë, pa diskutim që ju keni komunikim të drejtpërdrejtë me popullin.
Por deputetët nuk mund ta marrin vesh nga televizioni. Kaq! Ne që jemi në komisionin e Ekonomisë. Jo për gjë tjetër” reagoi i revoltuar Braçe.
“Mbështetja synon të jetë më afat gjatë dhe do të targetojë kategoritë më në nevojë” u përgjigj ministrja.