Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho përmes një reagimi në Facebook është shprehur se drama më e madhe e Shqipërisë është braktisja e vendit nga të rinjtë.
Xhixho ka reaguar në lidhje me aplikimet në universitet duke thënë se auditorët e zbrazura janë pasqyrë e politikave të dështuara arsimore.
“Drama më e madhe e vendit është braktisja e vendit nga të rinjtë, që tregon dështimin e sistemit arsimor dhe pamundësinë ekonomike për të krijuar një të ardhme këtu.
Regjistrimet në universitet zbulojnë plagën e ikjes së rinisë dhe potencialit intelektual.
Pavarësisht incentivave për 35 programe studimi, të konsideruara prioritet kombëtar, të rinjtë zgjedhin të largohen:
■ Nga 31 mijë maturantë, 1/3 e tyre kanë aplikuar për studime jashtë Shqipërisë.
■ Largimi i 10 mijë të rinjve është njësoj si të boshatiset papritur një qytezë e vogël.
Auditoret që sa vijnë e zbrazen janë pasqyrë e qartë e politikave të dështuara të arsimit.
Studentët e rinj injorojnë mbështetjen financiare që ofrohet për degët prioritare sepse e dinë se nesër i pret një treg pune që nuk u ofron garancitë minimale.
Kjo është një këmbanë alarmi për të nesërmen dhe mesazhi më i qartë që ata i drejtojnë kësaj qeverie.
Nga ky vend duhet të ikë iki Edi Rama dhe qeveria e oligarkët e tij dhe jo të rinjtë e truri i një kombi”, shkruan Xhixho.