Kurora me lule dhe nderime pranë memorialit të Azem Hajdarit edhe këtë 24 vjetor nga vrasja e tij.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se sot mesazhi i Azem Hajdarit është më i gjallë se kurrë, pasi sipas tij Shqipëria ndodhet në monizëm. Për këtë arsye, ish-kryeministri bëri thirrje për kryengritje kundër qeverisë Rama.
“Jam këtu për t’u përulur me nderimin më të madh. Mirënjohje ndaj veprës së tribunit legjendar të shqiptarëve, Azem Hajdarit.
Azem Hajdari hyri në historinë e kombit tonë si shqiptari, që me një grup të guximshëm studentësh, guximtarë, bënë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e Shqipërisë.
Azem Hajdari guxoi që të dalë në një protestë të fuqishme me studentët. Ai ishte në krye të kësaj lëvizje, e cila për tre ditë solli gjunjëzimin e regjimit dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
Azem Hajdari me këtë akt ndau epokat, nga monizmi në pluralizëm. Për këtë akt, Azem Hajdari u ekzekutua në 12 shtator 1998 nga përfaqësues kriminelë, vrasës me uniformë, kapiten, kolonel apo n/kolonel të regjimit.
Ai është edhe mbetet frymëzim i madh. Ai mbetet i përjetshëm. Sot është më i gjallë se kurrë me mesazhin e tij. Vepra e tij është mesazh i madh për t’u ngritur fuqishëm në protesta dhe demonstrata për të rrëzuar këtë regjim” tha ai.