Partia Demokratike me anë të anëtarit të Këshillit Kombëtar Lisandër Hoxha akuzoi kryeministrin Edi Rama se me ndryshimet e fundit po e kthen policinë në shoqëruese të klientëve të tij, “investitorëve strategjikë”, koncertet, panairet dhe aktivitetet sportive.
“Pasi shpiku investitorë strategjikë të oborrit të tij, pasi u dha badihava pasuritë pubilke të shqiptarëve, Edi Rama do t’u vendosë në dispozicion edhe Policinë e shtetit.
Me një vendim skandaloz, për ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, Rama e ka përdhosur edhe njëherë uniformën e policit shqiptar, duke i kthyer në çetë mercenarësh që mund të merren me qira nga të fortët, oligarkët dhe sharlatanët.
Ndryshimet ligjore parashikojnë që Policia e Shtetit, si të ishte orkestër dasmash, të pajtohet për afate të ndryshme kohore, deri në 3 muaj, për ruajtjen e personave fizikë e juridikë, publikë e privatë, si dhe eventeve, që nga koncertet, deri te panairet dhe aktivitetet sportive.
Parashikohet gjithashtu që policët, me uniformë dhe me automjetet zyrtare, të shoqërojnë ata që quhen investitorë strategjikë apo dhe persona që konsiderohen në rrezik.
Partia Demokratike e dënon këtë shfytyrim të rolit të Policisë nga Edi Rama dhe e cilëson si, asgjë më pak se një atentat tjetër ndaj figurës, autoritetit dhe mitit të policit si personifikim i shtetit dhe ruajtës i rendit, sigurisë dhe qetësisë publike.
Me këtë akt të ulët Edi Rama e kthen trupën e Policisë së shtetit në një kompani sigurimi fizik. Paloshteti i tij prek kështu fundin, kur vendos të japë me konçension edhe uniformën, armën dhe ekspertizën e policit” tha ai.